Buxheti garanton rritje ekonomike

Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka mbrojtur para deputetëve Ligjin për Buxhetin e Vitit 2014. Tha se ai garanton rritje ekonimike prej 4.1 për qind në vitin e parë, ndërsa rritja ekonomike në vitet e ardhshme do të jetë 4.6 për qind.

Lajme

21/11/2013 11:30

Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka prezantuar para Kuvendit, Buxhetin e Vitit 2014, i cili sipas tij, garanton rritjen ekonomike për Kosovën.

Beqaj tha se hartimi i buxhetit është bërë duke respektuar nevojat e Kosovës.

“Kam kënaqësinë që sot para jush të paraqes propozimin për aprovimin në lexim të parë të projektbuxhetit për vitin 2014”.

“Hartimi i këtij projektbuxheti ka filluar në muajin prill të këtij viti dhe më pas me të dëgjimet buxhetore me të gjitha organizatat buxhetore”.

“Ministria e Financave është e përkushtuar maksimalisht në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi të rëndësishëm”.

“Ne kemi shqyrtuar me kujdes të gjitha kërkesat e organizatave buxhetore të bazuar në strukturën e menaxhimit të buxhetit për vitin 2014 dhe ju propozojë këtë projektbuxhet që ta miratojmë në lexim të parë”.

“Struktura e propozuar buxhetore bazohet në projeksionet për  performancën e ekonomisë sonë për vitin e ardhshëm dhe në vitet në vijim, duke pasur për bazë krizën në vendet e botës dhe vendet në rajon”.

Beqaj tha se Buxheti është hartuar në pajtueshmëri të plotë me FMN dhe Bankën Botërore.

“Dëshiroj të konfirmoj se propozim buxheti të cilin po e prezantoj është përgatitur në pajtim të plotë më Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjatë takimeve vjetore të FMN dhe Bankës Botërore kemi arritur që të pajtohemi me të gjitha kategoritë e të hyrave dhe shpenzimeve”.

“Ne gjithashtu kemi zhvilluar bisedime edhe për politika dhe për reformat të cilat Qeveria planifikon që t’i realizon”.

“Konform obligimeve me marrëveshjen stand-by ne kemi arritur që të përmbushim të gjitha kriteret”.

“Përgatitja e këtij projektbuxheti nuk do të duhej të shihej si buxhet i shkëputur vjetor por më shumë si një buxhet me efekte afatgjate dhe e integruar në kornizat afatmesme ekonomike dhe fiskale”.

“Ne presim që në vitin 2014 dhe në vitet në vijim ekonomia e Kosovës të vazhdojë me ritmet e saj pozitive të rritjes”.

“Presim që në vitin 2014 norma e rritjes ekonomike të jetë 4.1 për qind ndërsa mesatarja për 3 vitet e ardhshme të jetë 4.6 për qind, duke u bazuar në projeksionet tona të rritjes dhe konsumit”.