Buxhet i Varfërisë

Partitë opozitare, gjatë seancës së Kuvendit, kanë kundërshtuar Buxhetin 2014 të propozuar nga Qeveria. LDK, VV dhe AAK thanë se nuk do ta votojnë atë. E vlerësuan si Buxhet apokaliptik, që e kthen Kosovën në depresion, e që nuk premton zhvillim.

Lajme

21/11/2013 12:07

Partitë opozitare, LDK, Vetëvendosje dhe AAK, i kanë thënë “Jo” Projekt-Buxhetit për vitin 2014 të prezantuar nga Qeveria e Kosovës.

Në seancën e sotme, Naser Osmani i LDK’së dhe Visar Ymeri i Vetëvendosjes kanë kritikuar mungesën e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe zëvendësve të tij në seancën e sotme ku është duke u shqyrtuar në lexim të parë Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm.

Në emër të Grupit Parlamentar të LDK’së, Naser Osmani ka thënë se Buxheti i prezantuar nga Qeveria e kthen Kosovën në depresion.

“Rënia e investimeve në ekonomi po vazhdon për shkak të politikave të dëmshme fiskale”.

“Ky është Buxhet shpenzues, sepse 68.5 për qind e tij është për shpenzime, paga dhe çështje sociale. Ky është Buxhet për ta menaxhuar varfërinë që ka kapluar Kosovën”.

“Qytetarët e Kosovës nuk shohin perspektivë nga kjo Qeveri”.

Osmani u ankua për shpërndarje të pabarabartë të Buxhetit nëpër komuna në të cilat qeveris PDK’ja në dëm të atyre që qeverisen nga LDK.

“LDK nuk mund ta mbështesë këtë Buxhet në të cilin nuk është bërë shpërndarje proporcionale të investimeve kapitale”, ka thënë Naser Osmani.

Ndërsa Visar Ymeri, Shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se Buxheti i prezantuar “nuk është Buxhet zhvillimor, por Buxhet para-apokaliptik”

“Po na prezantohet si Buxhet për shpëtim nga humnera, e jo Buxhet si zhvillim. Shpëtimi nga humnera po na prezantohet si ecje përpara”.

“Shifrën për 4.1 për qind të rritjes ekonomike nuk duhet ta marrim shumë seriozisht, sepse edhe në të kaluarën shifrat nuk kanë dalë ashtu siç janë prezantuar”.

“Ne do ta votojmë kundër këtë Buxhet dhe mendojmë që edhe në amandamentimin e tij, përveç nëse ndryshohet tërësisht, ky Buxhet do të mbetet i njëjtë”, ka thënë Ymeri.

Edhe Ardian Gjini, Shef i Grupit Parlamentar i AAK’së, ka shprehur qëndrimin “kundër” të grupit të tij ndaj Buxhetit.

“Shifrat në tabela nuk përputhen. Të paktën këto shifra duhet të përputheshin”.

“Si mund të proklamohet rritje e madhe kur ju e shihni një rritje të GDP’së. Kjo rritje nuk është për mburrje, sepse është nën mesataren”, ka thënë Gjini.