Bushati: Shqipëria pret miratimin për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE

Shqipëria shpreson shumë që Bashkimi Evropian të vendosë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit ish-komunist në mbledhjen e Këshillit Evropian më 28-29 qershor, për të ndihmuar çimentimin e tranzicionit të saj në ekonominë e tregut, tha ministri i jashtëm i vendit në një intervistë për “The Japan News” të hënën në Tokio.

Lajme

06/06/2018 12:16

“Ka ardhur koha” që BE-ja të nisë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim, tha Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Në prill, Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, rekomandoi që udhëheqësit e 28 vendeve anëtare të vendosin për fillimin e bisedimeve për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, bazuar në përparimin e të dy vendeve në reformat politike dhe ekonomike.

Bushati nisi të dielën një vizitë tre ditore në Japoni për të promovuar marrëdhëniet dypalëshe Shqiperi-Japoni, dhe për t’u takuar me Ministrin e Jashtëm Taro Kono dhe zyrtarë të Federatës Japoneze të Biznesit (Keidanren), mes të tjerash.

Lidhur me zgjerimin e BE-së, Bushati përshëndeti raportin e Komisionit në shkurt i cili sugjeron që vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, mund të bëhen anëtare të BE-së deri në vitin 2025. “Ne e shohim atë si një faktor motivues”, për të përshpejtuar reformat dhe për të përmbushur kushtet për anëtarësim, tha ai.

Interesi i përtërirë i BE-së për Ballkanin – madje edhe në kohën kur ka grindje të brendshme, të tilla si rritja e forcave kundër Unionit dhe reagimi kundër migrimit- shihet gjerësisht si një përpjekje për të luftuar ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon. “Ne kemi dëgjuar liderët evropianë që flasin për rrezikun që Ballkani Perëndimor të përçahet ose të bjerë nën ndikimin e aktorëve të tjerë”, tha Bushati.

Gjatë tre dekadave të fundit, Shqipëria ka arritur një transformim radikal duke u shndërruar nga një prej vendeve më të izoluara komuniste në një anëtar të NATO-s, megjithëse është ende një nga vendet më të varfra në europë me një PBB për frymë prej më pak se 4,000 dollarë.

Bushati theksoi angazhimin e Shqipërisë ndaj demokracisë liberale duke renditur disa vlera si të drejtat e njeriut, ndarjen e pushteteve dhe respektimin e pakicave kombëtare. Është e rëndësishme “që BE të vazhdojë të tregohet e fortë dhe e bashkuar kur përballet me Rusinë për çështje në të cilat nuk ndajnë të njëjtin mendim”, tha ai.

Sërish, ministri mban një qëndrim të kujdesshëm rreth pozitës së BE-së. “Ne ende nuk kemi parë një strategji të qartë [të BE-së] se si të punojë me Ballkanin Perëndimor,” tha ai, duke e quajtur rajonin një “kopsht të lënë pas dore” nga BE.

Tokio tregoi angazhimin e saj për rajonin kohët e fundit duke njoftuar këtë janar një politikë të quajtur “Nisma e Bashkëpunimit për Ballkanin Perëndimor”, për të nxitur dialogun,  e cila mund të shihet si një përpjekje për të luftuar ndihmën masive të infrastrukturës në rajon nga ana e Pekinit.

Ai theksoi që Shqipëria ka nevojë për më shumë investime nga Japonia në sektorë të tillë si në infrastrukturë apo tregu i automjeteve./tch