Bushati: Qeveria maqedonase të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit

Situata në Maqedoni po karakterizohet nga kriza politike dhe forcat qeveritare duhet të zbatojnë marrëveshjen e Ohrid. Kështu deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, në interpelancë që u thirr nga deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, mbi ngjarjet e Kumanovës në Maqedoninë fqinje.

Lajme

04/06/2015 19:57

Për ministrin Bushati, Marrëveshja e Ohrit, cilësohet si baza e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndëretnik në Maqedoni, madje zbatimi i saj nuk është aspak bllokadë.

“Procesi i demokratizimit të shoqërisë në Maqedoni është një proces i brendshëm i tyre, ndaj dhe si i tillë nuk mund të ndërhyhet nga jashtë”, theksoi ministri Bushati, i cili më pas bëri të ditur se “Shqipëria është gjithnjë në mbështetje të qëndrueshmërisë politike e sociale në vendin fqinj”, tha Bushati, transmetojnë mediet në Tiranë.

Deputetja demokrate i konsideroi ngjarjet e ndodhura në qytetin shqipfolës të Maqedonisë si një ndodhi që kërkon hetim ndërkombëtar, pasi edhe sot e kësaj dite, ende nuk dimë shkaqet që çuan në pasjen e asaj përplasjeje të armatosur mes një grupi luftëtarësh nga Kosova dhe forcave speciale të qeverisë së Shkupit. Doda e konsideroi atë ngjarje si një të tillë që na përket edhe neve në Shqipëri, pasi si ligjvënës të Parlamentit shqiptar e kanë për detyrë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë.