Bushati në Egjipt kërkon njohje për Kosovën nga Liga Arabe

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati po qëndron në një vizitë dy ditore në Republikën Arabe të Egjiptit.

Lajme

01/02/2015 17:12

Bushati ka evidentuar rolin e rëndësishëm që mund të luaj Liga Arabe në mbështetjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga anëtarët e kësaj lige.

Ao në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Nabil El Arabi, i kërkoi mbështetjen për Kosovën.

Ministri Bushati u takua edhe me homologun e tij të Egjiptit, Sameh Hasan Shukri me të cilin diskutoi për zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor. Palët ndanë pikëpamje mbi bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, si një sfidë e përbashkët ndaj së cilës asnjë vend nuk është i imunizuar, dhe që kërkon bashkërendim aktiv.

Palët vlerësuan gjithashtu dhe nivelin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme dhe Agjencisë Egjiptiane të Partneritetit për Zhvillim, përcjellin mediat shqiptare. Nga ana e tij, Ministri Bushati i kërkoi palës egjiptiane zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e turizmit dhe bujqësisë, si dhe rritjen investimeve të drejtpërdrejta. Ministri Shukri falënderoi Ministrin Bushati për mbështetjen konsekuente që Shqipëria i ka dhënë Egjiptit në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe evidentoi rëndësinë që Shqipëria ka për Egjiptin.

Në fund të takimit, dy homologët nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Arabe të Egjiptit për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në Çështjet Doganore. Gjatë takimit palët diskutuan më tej dhe situatën në Lindjen e Mesme. Gjatë ditës së dytë të vizitës në Egjipt Ministri Bushati do të zhvillojë takime me Ministren e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Nagla Anuar El-Ehuani, Ministrin e Turizmit, Hishman Zazu, përfaqësues të diasporës shqiptare dhe përfaqësues të biznesit egjiptian.