Bushati i ankohet NATO-s për Maqedoninë

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati ka marrë pjesë sot në punimet e ditës së parë të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që po zhvillohet në Antalya të Turqisë.

Lajme

13/05/2015 23:49

Bushati ka thënë se gjatë këtyre takimeve është biseduar për situatën politike në Afganistan dhe Ukrainë.

“Gjate takimeve u trajtuan një sërë tematikash të rëndësishme për NATO-n dhe sigurinë euroatlantike, si progresi i bërë në kuadër të misionit të ri të NATO-s ‘Resolute Support’ në Afganistan, situatën politike në Ukrainë dhe mënyrat për t’ju përgjigjur kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë në krahun lindor dhe atë jugor të Aleancës”, ka thënë ai.

Ministri Bushati shkruan në Facebook se pati “mundësinë të zhvilloj edhe një sërë takimesh të frytshme dypalëshe me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier, atë belg, Didier Reynders, ministrin holandez, Bert Koenders, si dhe atë të Luksemburgut Jean Asselborn”.

Lidhur me situatën në Maqedoni ai tha se ishte në qendër të bisedimeve. Ai vlerëson se këto zhvillime kanë pasur ndikim negativ në rajon.

“Një vend të veçantë në diskutime zunë zhvillimet e fundit negative në Maqedoni dhe impakti i tyre në sigurinë rajonale. Shpreha shqetësimin e Shqipërisë për situatën atje dhe nevojën imediate për kryerjen e një hetimi të thellë, të shpejtë, të plotë e transparent, në funksion të së vërtetës dhe vetë stabilitetit të Maqedonisë e gjithë rajonit.”