Bushati: Anëtarësimi në NATO e ka bërë Shqipërinë faktor në rajon

Në panelin e Komisionit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka mbajtur një fjalim edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ku është ndaluar në disa çështje, 

Lajme

28/05/2016 11:48

Sipas Bushatit, 7 vjet anëtarësim në NATO e kanë shndërruar Shqipërinë në një aktor të rëndësishëm rajonal që ka ndjeshmërinë e duhur ndaj sfidave me të cilat përballet sot arkitektura e sigurisë evropiane.

“Ne sot jemi të pranishëm nëpërmjet misioneve të NATO-s, BE-së dhe OKB-së në Kosovë, Afganistan, Bosnje Hercegovinë dhe në Republikën e Malit. Angazhimi ynë është serioz dhe afatgjatë. Është kjo frymë, që na nxit të vijojmë kontributin tonë në Afganistan, duke e dyfishuar këtë vit nivelin e pjesëmarrjes në Misionin ‘Rezolutë Suport’ (RSM). Sfidat aktuale ndaj sigurisë Euro-Atlantike, si dhe nevoja për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga Lindja dhe Jugu pritet të karakterizojnë agjendën e Samitit të Varshavës në korrik”, – u shpreh Bushati, raporton AA.

Kryediplomati i Shqipërisë ka pohuar se në skajin lindor të NATO-s, agresioni rus ndaj Ukrainës ka vënë në diskutim stabilitetin e Evropës dhe sipas tij veprimet e Rusisë në arenën ndërkombëtare vazhdojnë të mbeten shqetësuese.

“Sulmet terroriste në Ankara, Bruksel dhe Paris mbeten një kujtesë tragjike e sfidave të rënda që vijnë nga DAESH-i dhe nga ekstremizmi i dhunshëm. Këto sfida na rikujtojnë gjithashtu ndërvarësinë ndaj njëri-tjetrit, ndërlidhjen mes sigurisë kombëtare më atë ndërkombëtare sepse nuk ka dyshim se siguria jonë varet edhe nga stabiliteti i të tjerëve. Për t’iu përgjigjur më mirë sfidave të tilla, si fenomeni i luftëtarëve të huaj dhe radikalizimit, është vendosur të hapet në Shqipëri NATO Center of Excellence, e cila do të fokusohet në ndërtimin e një ekspertize të rëndësishme për adresimin e këtij fenomeni. Ekspertiza që do të përftohet do të vihet në funksion të institucioneve të tjera për hartimin e programeve sociale, edukative dhe ekonomike”, u shpreh Bushati.

TIRANË (AA) - Sesioni i Pranverës i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i organizuar për herë të parë nga Parlamenti i Shqipërisë, ka hapur sot punimet në Tiranë, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga vendet anëtare të Aleancës, raporton Anadolu Agency (AA). Në foto i pari majtas, ish-Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani, i dyti majtas, Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Shqipërisë. ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Niveli i ri bashkëpunimi ka gjetur shprehje sipas Bushatit edhe në vendimin e NATO-s për vendosjen e anijeve në Detin Egje për të mbështetur vendet aleate, Greqinë dhe Turqinë, si dhe agjencinë e BE-së, Frontex, në përpjekjet e tyre për të përballuar krizën e refugjatëve dhe emigrantëve.

Bushati ka theksuar se NATO dhe BE-ja janë aktorë thelbësorë në fushën e sigurisë dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor.

“Në Ballkanin Perëndimor NATO mbetet aktor i pazëvendësueshëm në fushën e sigurisë dhe për këtë arsye, Shqipëria e ka mbështetur dhe vazhdon të mbështes në mënyrë të vendosur dhe aktive politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Është e rëndësishme që Maqedonia fqinje t’i bashkohet NATO-s, pasi autoritetet maqedonase të kenë marrë hapat e duhur në zgjidhjen e krizës së brendshme politike dhe forcimin e sundimin të ligjit dhe të demokracisë në vend. Veçanërisht i rëndësishëm në këtë kontekst është vazhdimi i përpjekjeve për një shoqëri multietnike plotësisht funksionale të bazuar në zbatimin e plotë dhe efektiv dhe cilësor të Marrëveshjes së Ohrit. Ne dëshirojmë ta shohim Bosnje-Hercegovinën të avancojë më tej”, u shpreh Bushati.

Bushati u shpreh se një rrugë e qartë dhe e mirëpërcaktuar për Kosovën drejt proceseve integruese, si në BE ashtu dhe NATO, si dhe ngushtimi i hendekut integrues mes Kosovës dhe vendeve të rajonit, janë parakushte për të patur një siguri të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.