Burgu, shtëpia e 1 mijë e 609 personave

Sinan Krasniqi është i dënuar me burgim maksimal për veprat penale dhunim dhe vrasje. Më 11 shtator të vitit 2006, ai kishte dhunuar mbesën e tij 7 vjeçare, Elona Krasniqin të cilën pastaj e kishte varur me pantallonat e saj në një pyll në afërsi të fshatit Karaçicë të komunës së Shtimes duke e braktisur kufomën.

Lajme

30/09/2017 13:04

Trupi i pa jetë të Elonës ishte “gjetur” më 30 shtator, nga vetë autori i krimit në një kodër katër kilometra larg shtëpisë saj në Karaçicë të Shtimes, i cili fillimisht kishte fshehur krimin.

Por, Sinani nuk është i vetmi i burgosur që ka dënim mbi 40 vjet. Me burgim të njejtë si Sinani janë edhe dy persona të tjerë.

Jetë mes katër mureve të dhomës së burgut, bëjnë 1 mijë e 609 persona, të dënuar për vepra të ndryshme penale.

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës, nuk japin detaje se në cfare faze të vuajtjes së dënimit janë të burgosurit por tregojnë se shumica prej tyre janë meshkuj.

Në burxhet e Kosovës 1 mijë e 572 janë të burgosur meshkuj, e vetëm 37 femra.

“Numri më i madh i të burgosurve në SHKK është për veprat penale: Vrasje, tentim vrasje, vjedhje, narkotik, si dhe vepra të tjera të parapara me Kodin Penal”.

E edhe dënimet e tyre përcaktohen, varësisht prej veprave që kanë kryer, por dënimi më i gjatë është ai 40 vite, që  e vuajnë gjithsej tre persona.

Asnjë i burgosur me burg të përjetshëm

Nuk është i vogël edhe numri i të miturve që kanë kryer vepra penale, për të cilat tash edhe po vuajnë dënimin. Aktualisht janë 30 të mitur që janë në vuajtje të dënimit për vepra të ndryshme penale.

“Nga 1,609 të burgosur, 30 janë të mitur dhe 1,579 madhor”, kanë thënë në Ministrinë e Drejtësisë për Gazetën Fjala.

Ndonëse kishte hyrë në fuqi edhe dënimi me burg të përjetshëm, në Kosovë ende nuk ka asnjë të burgosur që po e vuan këtë dënim.

Deri para tri vjetëve, dënimi maksimal në Kosovë ka qenë 40 vjet heqje lirie, ndërsa tani ky dënim me Nenin 44 të KPK-së është për tërë jetën.

E ky dënim shqiptohet për vrasjet e rënda ordinere, ato politike dhe terroriziëm, e që sipas Kodit Penal të Kosovës konsiderohen si veprat më të rënda kriminale.

Deri më tani në Kosovë është shqiptuar vetëm një rast me burgim të përjetshëm. Dënimi është shqiptuar në shtator të vitit 2015, ku Gjykata Themelore e Prishtinës, konkretisht, Departamenti për Krime të Rënda, kishte shpallur fajtor dy shtetas kosovarë, të cilët kishin kryer vrasjen makabre të një shtetasi serb me orgjinë boshnjake nga Novi Pazari.

Por, Gjykata e Apelit e kishte  zbutur dënimin për dy këta dy persona dhe kishte vendosur që ta hedhë poshtë vendimin e shkallës së parë dhe personat e dënuar me burgim të përjetshëm t’i dënojë me 25 vjet, respektivisht 22 vjet burg.

Burgu, vendi i vdekjeve të mistershme

Burgjet në Kosovë sipas njohësve të drejtësisë së fundmi janë bërë tepër të rrezikshme për jetën e atyre që vuajnë dënimin.

Jetën në burgjet e Kosovës së fundmi e kanë humbur Astrit Dehari e Naser Makolli.

Vdekjet, vetëvrasjet dhe tentim vetëvrasjet,  si këto dy raste e kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e personave nëpër këto qendra.

Por, ato nuk janë të vetmet. 13 të burgosur raportohet se kanë kryer vetëvrasje në Kosovë që nga 1999. Të dhënat zyrtare listojnë 201 raste të tjera të tentativave për vetëvrasje.

Gjatë të njëjtës periudhë, 28 të burgosur gjithashtu vdiqën nga shkaqe natyrore, duke e sjellë totalin e vdekjeve në burgje që nga viti 1991 në 52.

Shqetësime për gjendjen e të burgosurve kishte ngritur edhe avokati i popullit.

Avokati i Popullit konsideronte se kufizimi i të drejtës për trajtim adekuat mjekësor, nuk mund të konsiderohet si masë disiplinore për shkak të tejkalimit ose shkeljeve të rregullave të Shërbimit Korrektues. Për më tepër, sipas tij Burgu i Sigurisë së Lartë, nuk mund të ofrojë shërbimet e kërkuara.

Sipas Avokatit, stacionari i këtij burgu ofron shërbime deri në orën 16:00, respektivisht 19:00, por që nuk ka mjek kardiolog, por vetëm mjek të përgjithshëm.

Si përfundim Avokati i Popullit kishte theksuar  se mungesa e ndihmës mjekësore në kohën e duhur, që i shtohet refuzimit të autoriteteve për t’i ofruar të urgosurit trajtimin e duhur mjekësor të dhënë nga mjekët civilë, krijojnë një ndjenjë të fortë mungese sigurie, e cila, e kombinuar me vuajtjet fizike, çojnë në trajtimin degradues duke shkelë nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. /Gazeta Fjala