Burgim me kusht për inkasantin e KRU “Radoniqi-Dukagjini” që përvetësoi rreth një mijë euro

Ish-punëtori i kompanisë KRU “Radoniqi-Dukagjini”, Bajram Rudi, është dënuar me 1 vit burgim me kusht, pasi të enjten, është shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lajme

17/05/2018 20:03

Sipas aktgjykimit të shpallur në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy vjetësh.

Po ashtu, ai është detyruar që nga gjashtë muaj e deri në një vit, kësaj kompanie t’ia kompensojë dëmin e mbetur në shumë prej 947.27 euro.

Para se të shpallej aktgjykimi në këtë rast, i akuzuari kishte arritur marrëveshje me prokurorin Ali Uka, për pranimin e fajësisë, e cila para trupit gjykues, është paraqitur në seancën e së enjtes, raporton Betimiperdrejtesi.com.

Në marrëveshje, thuhet që dënimi i cili do t’i shqiptohet nga ana e gjykatës dhe atë për keqpërdorim i detyrës zyrtare, të jetë dënim burgimi nga 1 vit e deri në 1 vit e gjysmë, por i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës raportuese prej dy vjetësh e deri në dy vjet e gjysmë nuk kryen vepër të re penale.

Gjithashtu, edhe kjo marrëveshje parashihte kompensimin e dëmit të shkaktuar për kompaninë.

Përfaqësuesja e autorizuar e palës së dëmtuar, Kompanisë KRU “Radoniqi-Dukagjini”, në Gjakovë, Lumnije Këpuska, ka deklaruar se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe njëkohësisht kërkesës për kompensimin e dëmit.

Më pas kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika, ka marr vendim me të cilin ka aprovuar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë e lidhur ndërmjet Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe të akuzuarit Bajram Rudi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bajram Rudi, me qëllim të përfitimit ë kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare, në atë mënyrë që duke qenë në pozitën e inkasanit në Kompanin KRU “ Radoniqi-Dukagjini” me seli në Gjakovë, ka përvetësuar të holla në shumë prej 947.27 euro nga fermerët-konsumatorët Ali Bytyqi, Ismet Hoti dhe Arben Berisha që të tre nga Rahoveci dhe Fadil Thaqi, Mahmut Shala, Bajram Kabashi dhe Asllan Kelmendi. Ai akzuohej se me këtë ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.