Bunjaku uron Januzajn, e pret në Kosovë

Albert Bunjaku e ka uruar Adnan Januzajn për vendimin e marrë që ta përfaqësojë Belgjikën. Mirëpo, përzgjedhësi i Përfaqësueses e pret talentin e Manchester Unitedit të luajë për Kosovën në të ardhmen.

Sport

24/04/2014 11:55

Sigurisht se përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni De Biasi nuk e ka pritur aspak mirë lajmin rreth vendimit të Adnan Januzajt për të luajtur me Shqipërinë.

Por, kështu nuk mund të thuhet edhe për përzgjedhësin e Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku. Seleksionuesi kosovar vendimin e Januzajt e konsideron si të pritshëm.

“Është pritur një vendim i tillë. Si shqiptar, edhe unë do të dëshiroja që ai ta zgjedhë Shqipërinë, por nëse i lëmë anash ndjenjat kombëtare e patriotike, atëherë them se Januzaj e ka marrë një vendim shumë të qëlluar e të mirë, po them në aspektin sportiv”, ka deklaruar për “Zërin” Bunjaku.

“Në një moshë të re, ai do të luajë në Botëror me Belgjikën, e cila për bindjen time shumë lehtë mund të jetë befasi e këndshme e ‘Brazilit 2014’”, theksoi Bunjaku, duke e përgëzuar futbollistin me origjinë nga Istogu, me shpresën që pas pranimit të plotë të Kosovës, Adnani ta lë Belgjikën për t’iu bashkuar Kosovës.

“Deri më tani kanë qenë 7-8 shtete në garë për të, por Belgjika fitoi. Kur pranohet Kosova në UEFA e FIFA, atëherë Januzaj do të mund të zgjedhë sërish, sikurse shumë kosovarë tjerë. Por, e ardhmja e tij në Kosovë varët shumë edhe nga puna jonë, se a do të mund ta joshim në Përfaqësuesen tonë. Optimizmi nuk dua të më mungojë”, shtoi Bunjaku.