Bunjaku: Senegali, 2-3 nivele më lartë

Selektori i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku thotë se Senegali është disa nivele më lartë se ekipi i tij. Megjithatë, ai beson se Kosova ka të ardhme të ndritshme.

Sport

25/05/2014 20:14

Kosova e pësoi humbjen e radhës nga Senegali me rezultat 3:1, në ndeshjen e zhvilluar të dielën në Gjenevë.

Përzgjedhësi Albert Bunjaku nuk e sheh tragjike këtë humbje, duke e pasur parasysh nivelin e kundërshtarit, por beson se në të ardhmen do të ketë në dispozicion skuadër më të fortë.

“Ne bëmë lojë kolektive dhe e dhamë maksimumin, por Senegali është 2-3 dimensione më lartë, sa i përket kualitetit. Ne kemi punuar sa kemi mundur dhe është kënaqësi kur i sheh lojtarët që japin gjithçka, pavarësisht humbjes”, deklaroi Bunjaku pas ndeshjes.

“Mendoj që e kemi krijuar një bazë. Sot na munguan 17 lojtarë, pasi kishin pengesa nga klubet ose ishin ët lënduar. Kemi provuar shumë lojtarë të rinj. Kemi bërë gjashtë ndryshime nga ndeshja e fundit”.

“Ne po mundohemi t’i testojmë lojtarët, ky është qëllimi ynë, të përgatitemi për Evropian dhe Botëror”, vijoi ai.

Sa u përket ndeshjeve të tetorit ndaj Panamasë dhe Kanadasë, Bunjaku është i bindur se Kosova do të jetë më e fortë, pasi ato do të jenë data të lira të FIFA-s dhe UEFA-s dhe do t’i ketë në dispozicion të gjithë lojtarët, duke u krijuar një konkurrencë shumë e madhe.