Bunjaku godet ashpër kritikët e Kosovës

Albert Bunjaku po qëndron në Kosovë dhe ka dëgjuar kritika nga të gjitha anët.

Sport

28/03/2017 15:45

 Mirëpo, ai nuk po merret shumë me to pasi thotë se do ta vazhdojë rrugën e nisur.

“Nuk janë krejt kritika, pasi po marr edhe lëvdata në Kosovë nga njerëzit që po i takoj, përpos lëvdatave që vijnë nga jashtë vendit. Falë kritikave ne kemi punuar edhe më shpejt dhe ua kemi parë hairin atyre. Unë kam menduar se në vitin 2018 do ta kemi gjendjen ku jemi sot, pra jemi një vit përpara me kohë. I kemi pruar tre lojtarë të rinj së fundmi, e kemi grupmoshën më të re në botë. Zhvillimi i Kombëtares po shihet, jemi duke u zhvilluar, edhe rezultatet do të vijnë. Është e drejtë e secilit ta shprehë mendimin e tij, por ne do ta vazhdojmë rrugën e nisur”, deklaroi Bunjaku për “Zërin”.

Sipas tij, me kundërshtarë që ishin pjesë e Evropianit, madje që shkuan deri në çerekfinale, nuk mund të presësh më shumë.

Përndryshe, e përsërit faktin se kualifikimet për Botëror do të shërbejnë për të bërë përvojë, në mënyrë që më pas Kosova ta kërkojë kualifikimin në “Evropianin 2020”.

“Ekipi nuk është ende i koordinuar 100 për qind. Por, besoj se deri më tash ka pasur performancë maksimale, kjo shihet. Sidoqoftë, as kjo nuk mjafton kur kundërshtari është superior, kemi luajtur me një Islandë që ishte çerekfinaliste në Evropian. Me Turqinë kemi humbur 2:0, por ishim afër befasisë. Tash e tutje do të ballafaqohemi me kombëtare që kemi luajtur deri tash dhe do ta shohim se ku ishim dhe ku jemi”, vazhdoi ai.

“Kosova ka fituar identitet dhe respekt tek ekipet tjera. Deri në fund të këtyre kualifikimeve do të mundohemi të ballafaqohemi me të gjitha ekipet, me të gjitha forcat tona dhe do të mundohemi të nxjerrim rezultat pozitiv dhe të befasojmë, në atë rrugë jemi. Po përfitojmë eksperiencë dhe kjo është më e rëndësishmja. Deri në fund të kësaj kampanje do të mundohemi të paraqitemi sa më mirë edhe për ta përmirësuar pozitën në renditjen e FIFA-s”, përfundoi Bunjaku.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6