“Bullgaria ka bërë mirë kur e ka vënë Ballkanin si prioritet” – Lajmi.net
“Bullgaria ka bërë mirë kur e ka vënë Ballkanin si prioritet”
Autori: Lajmi.net Bota 16:03, 11 January 2018
Intervistë e Deutsche Welles me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili flet për rolin e Bullgarisë si presidente e radhës së BE dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor.

Deutsche Welle: Zoti Juncker, a jeni të bindur se Bullgaria do ta kryejë si duhet detyrën e kryesueses së radhës së BE, për gjashtë muajt e ardhshëm?

Juncker: Bullgaria është e përgatitur jashtëzakonisht mirë, sepse Bullgaria ka krijuar madje edhe një ministri të posaçme për presidencën e radhës së BE. Ministrja Lilyana Pavlova është sikur edhe kryeministri Boiko Borissov jashtëzakonisht mirë e përgatitur. Së bashku me Mariya Gabriel, e cila në Komisionin tim është duke bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, Bullgaria do të shënojë përparime të mëdha për Evropën, jam i bindur për këtë. Bullgaria është përcaktuar në tërësi për agjendën evropiane dhe ka vënë në qendër temat që janë të rëndësishme për evropianët: migracionin, digjitalizimin, një lloj unioni për mbrojtje dhe perspektivë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përveç kësaj me shkronjën “B” fillon jo vetëm emri i Bullgarisë, por edhe fjala bullgare “budeshte“, që do të thotë “ardhmëria”. Presidenca bullgare do të drejtojë debatin e rëndësishëm për të ardhmen e Evropës, e viti 2018 do të jetë vendimtar për shumë çështje të Bashkimit Evroipian, prej forcimit të ekonomisë dhe politikës monetare të BE, sistemit të ardhshëm të migrimit e deri tek buxheti i BE. Bullgaria do të luajë në këtë drejtim një rol të rëndësishëm ndërmjetësimi për të gjetur konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.

DW: Mediat evropiane kanë kritikuar pjesërisht shumë ashpër Bullgarinë. Por më së shumti flitet për vendin më të varfër dhe më të korruptuar në BE. A i meriton Bullgaria këto kritika?

Juncker: Kur dëgjoj për klishe të këtilla, atëherë do të doja që së pari të shikojmë faktet. E ato duken më ndryshe – jo vetëm nga koha e marrjes së presidencës bullgare. Unë e njoh Bullgarinë shumë mirë, sepse unë kam qenë kryeministër i Luksemburgut në kohën kur Bullgaria është anëtarësuar në BE. Asokohe Luksemburgu ka qenë kryesues i radhës i BE. Prej atëherë, Bullgaria ka bërë shumë, ndër tjerash edhe në ekonomi. Ekonomia e këtij vendi vitin e kaluar është rritur për 3,9%. Punësimi po zhvillohet pozitivisht ndërsa buxheti është nën kontroll shumë të mirë. Borxhet e shtetit janë nën 30% të prodhimit bruto, që në krahasim me vendet e tjera anëtare të BE, është shumë pak.

Bullgaria është po ashtu një ndër vendet më pro-evropaine. Ndaj pritjet janë shumë pozitive, jo vetëm për kohën e presidencës së radhës, por edhe për luftimin e korrupsionit. Këtu jemi duke punuar së bashku me Bullgarinë në të ashtuquajturin mekanizëm bashkëpunimi për rishikimin e hapave që po bëhen në luftën kudër korrupsionit.

DW: Sofja e ka vënë si prioritet afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE. Si e shihni ju perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE?

Juncker: Bullgaria ka bërë mirë kur e ka vënë Ballkanin Perëndimor si një prej pikërëndesave të presidencës. Vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë që të kenë një perspektivë për anëtarësim në BE. Kjo nuk do të ndodhë gjatë kohës sa jam unë president i Komisionit Evropian, por tani duhet të vihen piketat, ndërsa këto vende duhet të bëjnë reformat e duhura dhe ate sa më parë. Qeveria bullgare ka bërë disa hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, sepse samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje me 17 maj do të jetë një prej zhvillimeve më të rëndësishme.

Bullgaria është shumë e përshtatshme për të ndërtuar ura drejt Ballkanit Perëndimor, sepse e njeh këtë rajon, e njeh kulturën, gjuhët dhe ka pasur edhe vet një proces të suksesshëm të anëtarësimit në BE.

DW: A do të ketë Bullgaria gjatë kësaj presidence një rol të rëndësishëm edhe në komunikimin e BE me Ankaranë?

Juncker: Bullgaria mund të luajë këtu një rol të rëndësishëm për thellimin e këtyre raporteve. Ne jemi të interesuar që të kemi një partneritet të ngushtë me Turqinë. Njëkohësisht Turqia, e cila dukej se është larguar, duket se sërish dëshiron të afrohet me Evropën. Bullgaria si fqinje e Turqisë, mund të angazhohet për thellimin e raporteve me Turqinë, intensifikimin e dialogut dhe mund të shërbejë si një lloj përkthyesi në këto raporte. Gjithmonë është më mirë të bisedohet mes vete dhe jo të flitet për njëri-tjetrin./DW

Fotolajm

“Kulturë boksi” përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /FOTO
Foto, aparati për matjen e fuqisë së goditjes përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /lajmi.net ?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Rock Wheels
  • Play Bow Master Japan
  • Play Bike Rivals
  • Play Urban Basketball