Bukoshi e quan “ministër hajvan”, Haradinaj kërkon që Jabllanoviq të kërkojë falje

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq i quajti “egërsira” familjarët e personave të zhdukur shqiptarë, të cilët po mundoheshin ta pengonin vizitën e pelegrinëve serbë në Gjakovë me rastin e Krishtlindjes Ortodokse.

Lajme

08/01/2015 19:10

“Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i parandaluan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t’i shërbejnë askujt”, është shprehur Jabllanoviq.

E Bujar Bukoshi mendon se Jabllanoviqit duhet t’i tregohet “vendi”, për fyerjen e rëndë që ua bëri qytetarëve të Gjakovës.

Në një prononcim për Politiko.net, Bukoshi ka kërkuar që kjo gjë duhet t’i përmendet Serbisë dhe Brukselit dhe se ndërhyrjet e Serbisë duhet të jenë të patolerueshme.

“Mjafton që këtij ministri hajvan t’i tregohet vendi, se gjakovarët nuk janë egërsira. Natyrisht, është vështirësia jonë që Serbia ende nuk e ka filluar këndelljen e saj”.

“Kjo duhet që gjithkund t’i përmendet edhe Serbisë, edhe Brukselit, pa na ardhur asnjë fije keq, pa e prishur politikën korrekte, por t’i rikujtohet në vazhdimësi, me qëndrimin konstruktiv”.

“Është e vërtetë që Qeveria e Serbisë po i fut hundët në Kosovë. Kjo duhet të jetë e patolerueshme dhe mund t’i shkatërrojë të gjitha proceset që deri tash janë arritur me vështirësi”, ka thënë Bukoshi për Politiko.net.

Ndaj deklaratave të liderit të Listës Serbe ka reaguar edhe Ramush Haradinaj. Kreu i AAK-së ka kërkuar nga Jabllanoviq që t’u kërkojë falje nënave të familjarëve të të zhdukurve dhe të tërhiqet nga kjo deklaratë.

Haradinaj këto komente i bëri pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e Partisë Shqiptare Qendrore për Integrim të Malit të Zi.

“Janë përgjegjësi e Qeverisë deklarimet e secilit nuk është mirë as një zyrtar i zgjedhur ta ofendojë askënd, veçanërisht nënat e viktimave. Është mirë t’i kërkohet falje nënave, është mirë të tërhiqet kjo deklaratë dhe të distancohen institucionet nga deklarimet e tilla”.

Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar ende për deklaratat e ministrit të saj, Aleksandar Jabllanoviq.