Bukës i vihet çmimi sipas qejfit, diku është vetëm 15 centë, e diku 40 centë

Çmimi i bukës ka rënë dukshëm nëpër disa rajone të Kosovës krahasuar me çmimet e para një viti, kur çmimi ishte 40 centë pothuajse në tërë Kosovën. Një bukë tani mund të blihet në Ferizaj edhe me 18 centë, ndërsa në Klinë e Komoran ajo blihet edhe me 15 centë.

Lajme

20/04/2015 08:23

Çmimi i bukës në qytetet e mëdha vazhdon të mbetet në nivel prej 40 centëve. Nëpër rajone të ndryshme ka edhe çmime të ndryshme.

Mirëpo, pesha e bukës së lirë vazhdon të mbetet dukshëm larg standardit prej 500 apo 400 gramësh, shkruan Koha Ditore.

Ajo çfarë vërehet në bazë të hulumtimit të gazetës është që konkurrenca e furrave nëpër disa prej qyteteve ka bërë që të ketë ulje drastike të çmimit të bukës.

Mirëpo, në disa qytete të mëdha duket se ka një fiksim të çmimit, pasi çmimi është i njëjtë në pjesën më të madhe të qytetit të Pejës, ku një bukë është 40 centë.

Autoriteti i Konkurrencën që e kishte hetuar industrinë e bukës për shkak të dyshimit të fiksimit të çmimeve është jofunksional tash e dy vite.

Çmimi më i lirë i bukës është në Komoran, ku një bukë mund të blihet vetëm me 15 centë, çmim ky që është tri herë më i lirë se i një buke në Prishtinë.

Ndërkaq, në Prishtinë, çmimi standard i bukës është 40 centë. Ka bukë edhe 30 centë, por se ato kanë një peshë shumë më të vogël krahasuar me bukën standarde 500-gramësh.

Në Ferizaj ditët e fundit ka pasur një lëvizje të madhe të çmimit të bukës. Disa nga furrat e këtij qyteti e kanë ulur çmimin e bukës deri në 17 centë. Ndërkaq, në furra çmimi ndryshon varësisht nga pesha e bukës. Buka e cila peshon 500 gramë kushton 35 centë dhe ajo 400 gramë 25 centë. Ndërkaq, ka markete në Ferizaj që kanë bukë edhe 19 apo 17 centë.

Ndryshime të tilla të çmimeve ka edhe në Klinë. Në këtë qytet varësisht nga furra dhe pesha e bukës, ndryshon edhe çmimi, i cili varion nga 15 deri 30 centë. Çmime të ngjashme janë edhe në Istog. Ndërkaq, në Pejë, sikurse në Prishtinë, shumica e furrave dhe markete e kanë çmimin e njëjtë të bukës, pra 40 centë.

Njëjtë ndodhë edhe në qytetin tjetër të madh të Kosovës Prizrenin, ku buka kushton 40 centë. Por në Prizren mund të blesh bukë 250 gramësh me çmim prej 20 centësh, ndërkaq buka që cilësohet si e shtëpisë, në Prizren shitet për 50 centë.

Furrat dhe marketet në Lipjani dhe Fushë Kosovë kanë pothuajse çmim të njëjtë, pra 30 centë. Por në Fushë Kosovë, sidomos në markete, mund të gjesh edhe bukë që vijnë nga rajoni i Prishtinës apo Komoranit, që kanë një çmim prej 25 centësh, përkatësisht 20 centë.