Bujqve të Gjilanit ju premtohen 1 milion euro në vitin 2015

Komuna e Gjilanit premton në mot do të investojë një milion euro në bujqësi, pavarësisht që Ministria e Financave e ka ulur buxhetin komunal për bujqësi në 429 mijë euro.

Lajme

04/11/2014 16:23

Kjo është thënë të martën nga drejtori komunal për Bujqësi, Ramiz Ramadani, i cili ka njoftuar se sivjet është planifikuar të mbillen me grurë 2,850 hektarë si dhe 100 të tjerë me elb. Ai ka thënë se me farë gruri janë subvencionuar 752 fermerë, aq sa ka qenë edhe numri i aplikuesve.  

Sipas një komunikate për media, që e transmeton KsoovaPress, thuhet se Ramadani ka bërë të ditur që është hera e parë që Komuna e Gjilanit i ka subvencionuar të gjithë fermerët me farë gruri dhe mbase është komuna e vetme në Kosovë që e ka bërë këtë.

Ramadani ka thënë se zyrtarët e bujqësisë do t`i përcjellin zhvillimet në terren dhe nëse vërtetohet që ndonjëri nga përfituesit nuk e ka përdorë farën për qëllimin e caktuar, ai do të përjashtohet nga lista gjatë tre vjetëve të ardhshëm.

“Kryetari Haziri më ka garantuar se bujqësia do t`i ketë 1 milion euro buxhet në vitin 2015 dhe ka kërkuar prej meje që planifikimet t`i bëj në bazë të kësaj shume, meqë ka arritur t`i sigurojë edhe rreth 700 mijë euro nga burime të tjera”, ka thënë ai.

Ismajl Januzi, drejtor për Zhvillim Ekonomik, duke folur për panairin e bletarisë, ka thënë se ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me Riinvestin. Panairi ka pasur karakter promovues e shitës dhe bletarët janë ndarë të kënaqur.

Për më tepër, Januzi ka thënë se Komuna e Gjilanit është në fazën përmbyllëse të marrëveshjes me BKT-në për kreditimin e fermerëve, me një shumë prej 1 milion euro, duke sqaruar se në këtë rast Komuna e merr përsipër pagesën e interesit bankar, ndërsa kryegjënë e kredisë  (principalin) e shlyen përfituesi.

Ndryshe, duke folur për projektet dhe investimet tjera, për kushtet dhe ambientin, ai ka thënë se interesime për të ardhur në Gjilan me kapitalin e tyre, kanë shprehur biznesmenë edhe nga Turqia e Kina.