Bujqësia po shndërrohet në degë kryesore zhvillimore

Nëse deri tash bujqit janë detyruar të mësyjnë Ministrinë për të kërkuar para për investime, në vitet e ardhshme, ministria do t’i kërkojë bujqit që merren seriozisht me bujqësi dhe do të investojë në ta, thonë zyrtarë të MBPZHR-së. 

Lajme

04/11/2014 17:24

Një kthim relativisht i madh i vëmendjes drejt sektorit të bujqësisë bëri që buxheti i ndarë për këtë sektor të ishte temë e shpeshtë e diskutimit në këto vitet e fundit. Ky buxhet edhe pse në çdo vit kishte rritjen më të madhe, kritikohej si nga opozita, ashtu edhe nga grupet e interesit, sepse nevojat për investime ishin shumë më të mëdha.

Njëkohësisht me rritjen e buxhetit, duhet të rritet edhe kapaciteti absorbues i fermerëve, deklaronin ndërkohë zyrtarët e dikasterit qeveritar që udhëhiqte me këtë sektor, i cili tashmë si duket vërtet po bëhet top prioritet i Qeverisë.

Progresi i arritur këto vitet e fundit në bujqësi e ka determinuar si prioritet, sepse vetëm bujqësia shihet si shpëtimtare nga kolapsi ekonomik që mund ta përfshijë Kosovën si pasojë e mungesës së rritjes ekonomike, vlerësonin ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

Javë më parë, edhe menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters ishte shprehur skeptik për rritjen ekonomike këtë vit. Madje, sipas tij, po të mos ishte rritja e zhvillimit të sektorit të bujqësisë, Kosova nuk do të mund të arrinte as 2 për qind të rritjes ekonomike.

Trajtimi i problemeve në këtë sektor, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë është bërë në mënyrë kronologjike dhe tek tash sektori dhe institucioni përkatës është në gjendje të absorbojë dhe menaxhojë investime shumë më të mëdha te fermerët, sepse i kanë krijuar të gjithë mekanizmat e nevojshëm për implementimin e planit të tyre afatgjatë.

Këshilltari politik i ministrit të Bujqësisë, Adil Behramaj tregon se në vitin 2010 e kanë gjetur Ministrinë e Bujqësisë me rreth 11 milionë euro buxhet, kurse duke iu referuar buxhetit të aprovuar për vitin 2015, thotë se kanë rrisin këtë buxhet në 60.3 milionë euro.

“Ne tek tash po futemi në fazën e investimeve të mëdha, sepse fazat e deritashme kryesisht kanë pasur për qëllim përgatitjen e sektorit për t’i absorbuar këto investime dhe për të trasuar rrugën e zhvillimit të tij. Deri më tash është bërë edhe një kategorizim i fermerëve serioz. Në shumicën e sektorëve janë krijuar edhe regjistrat e fermerëve. Tani po bëhet edhe regjistrimi i përgjithshëm bujqësor dhe që nga viti i ardhshëm, gjasat janë që asnjë fermerë serioz të mos mbetet pa përkrahje qeveritare”, tha Behramaj, njëherësh edhe zëdhënës i kësaj ministrie.

Sipas tij, Ministrisë së Bujqësisë i është aprovuar rritja e premtuar prej rreth 60 milionë euro buxhet për vitin e ardhshëm. Ndërsa, rreth 60 milionë euro të tjera, ashtu siç edhe është premtuar, do të investohen përmes “Fondit të Punësimit” për çdo vit në sektorin e bujqësisë.

“Pra, nëse deri më tash fermerët iu kanë nënshtruar një konkurrence të ashpër duke kërkuar grante në Ministri, prej vitit të ardhshëm do të ndryshojnë gjërat dhe Ministria, si përmes programit të saj vjetor, ashtu edhe përmes rrjetit të shërbimeve këshillimore dhe grupeve të saj punuese, do të jetë në kërkim të të gjithë atyre fermerëve që kanë qëndrueshmëri dhe kanë potenciale për investime dhe gjasat janë shumë të vogla që të mbetet dikush pa u përkrahur”, tha ai.

Ndryshe, për subvencionet dhe grantet investuese të këtij viti, të cilat nuk janë ekzekutuar për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe mosbërjes së rishikimit të buxhetit, Behramaj thotë se është duke u bërë rishikimi i shpenzimeve qeveritare dhe deri në fund të këtij viti do të bëhen transferet buxhetore dhe do të ekzekutohen të gjitha subvencionet e mbetura.

(Gazeta Express)