Bujanoci shndërrohet në qytet universitar

Me ndërtimin e objektit të Fakultetit Ekonomik në Bujanoc, ky qytet do të bëhet qytet universitar  dhe do të sigurohen kushte bashkëkohore për studime në gjuhën shqipe dhe atë serbe, si dhe për zhvillim ekonomik dhe stabilitet politik.

Lajme

24/04/2014 01:03

Marrëveshjen e mirëkuptimit për ndërtimin e këtij objekti, që do ta financojnë BE-ja dhe Këshillit koordinues i qeverisë serbe për Luginën  e Preshevës, e kanë nënshkruar të mërkurën kreu i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, dhe dekani i Fakulteti Ekonomik të Suboticës, Nenad Vunjak, kurse ishin të pranishëm edhe shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Michael Davenport, shefi i misionit të OSBE-së në Beograd, Pieter Burkhard etj.

Sipas Davenport, nënshkrimi i marrëveshjes është mbase edhe hapi më i rëndësishëm në ndërtimin e një shkolle të vërtetë të arsimit të lartë në Bujanoc.

“Me këtë krijohen kushtet për zhvillim afatgjatë të arsimit universitar në këtë anë”, tha ai.

“Ndërtimi i objektit do t’iu mundësojë njerëzve të rinj nga Bujanoci dhe Lugina – shqiptarëve, serbëve, romëve e të tjerëve që të realizojnë të drejtën në arsimim dhe të zhvillojnë potencialet e tyre / do të mund të planifikojnë ardhmërinë në vendin e vet në vend se të planifikojnë largimin”.

Nagip Arifi shprehu kënaqësinë me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, duke shtuar se nga sot Bujanoci do të mund të quhet qytet universitar.

“Aty ku hapen shkollat e fakultetet, aty mbyllen burgjet”, theksoi Arifi.

Në Bujanoc tash e tre vjet punon paralelja e Fakultetit Ekonomik, të cilën momentalisht e vijojnë 256 studentë – shqiptarë, serbë dhe romë, kurse në vjeshtë regjistrohet gjenerata e katrat, që pritet të ketë rreth 350 studentë.