BSPK nuk përjashton protestat, nëse nuk ulet çmimi i rrymës (video)

Çmimi i energjisë elektrike duhet të ulët, pasi me shtrenjtimin e energjisë përveç qytetarëve, janë dëmtuar edhe bizneset vendore. Kështu u tha sot në një tryezë diskutimi të organizuar nga BSPK. Po ashtu u vlerësua se kjo ngritje e energjisë ka ardhur si rezultat i vakuumit institucional.

Lajme

25/07/2014 14:27

Rritja e çmimit të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ndikon edhe në shtrenjtimin në mënyrë zinxhirore edhe artikujve të tjerë primar të qytetarëve të Kosovës. Kështu u tha në tryezën e organizuar të premten nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kur morën pjesë përfaqësues të bizneseve e sindikatave të ndryshme.

Në këtë tryezë u kërkua që çmimi i energjisë elektrike të kthehet në tarifat e mëhershme. Po ashtu u tha se ZRRE, e cila i përgjigjet Kuvendit të Kosovës ka shfrytëzuar zbrazësin  institucionale, dhe ka vendosë për ngritjen e çmimit te energjisë elektrike.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi tha se ngritja e çmimit të energjisë përveç qytetarëve ka goditur edhe bizneset. Ai tha se nga takim që ka zhvilluar me kryeministrin Hashim Thaçi, ka kërkuar që çmimi i energjisë të ulët.

“Me këtë shtrenjtim për pos që është goditur populli i Kosovës janë goditur edhe bizneset që faktikisht kjo për ne është si diçka jo e mire. Kemi informata se shumë shpjet do të kemi ngritje edhe të çmimit të ujit dhe kemi thënë se kjo ngritje e rrymës shkon në mënyrë zinxhirore te të tjerët artikuj që janë më elementar për jetesën e familjarëve në Kosovës”.

“Kërkesa jonë është shumë decitive, që ai çmim që ka qenë duhet të kthehet. Qeveria nuk ka të drejtë me ndërhyjë”.

Arifi nuk përjashtoi as mundësinë e organizimit të protestave, nëse kjo nuk zgjidhet përmes dialogut.

Kurse Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), tha se ngritja e çmimit është bërë në interes të vetëm një kompanie. Ai tha se nga mungesa e rrymës shumë biznese po detyrohen të shuhen.

“Me këtë shtrenjtim të energjisë elektrike edhe ZRRE-ja edhe KEDS-i, nuk ka shikuar  në aspektin ekonomik për bizneset tjera, por e kanë marrë për bazë vetëm çështjen e një kompanie që është një investitor i huaj se si asaj ti ruhen financat, ti ruhet rritja e saj ekonomike”.

“Me rritjen e çmimeve, bizneset e Kosovës do të humbin fuqinë konkurruese, do të humbin mundësinë që të jenë më konkurrent në tregjet dhe në eksport”.

“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ne kemi më shumë se 3500 biznese të mbyllura, e një nga indikatorët është edhe energjia elektrike, mungesa e saj dhe ndërprerja e saj pa paralajmërime”.

Ndërkaq, Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), tha se me ngritjen e çmimi të energjisë do të dëmtohen prodhimet vendore dhe do të vazhdojmë të varemi nga importi.

“Në aspektin intern është një ngritje e çmimit të kostos së prodhimeve ‘Made in Kosova’, ku kostoja është derteminuese e çmimit dhe e plasimit. Në rend të dytë, po bien në mënyrë graduale konkurrueshmëria dhe mundësia që produktet kosovare të dalin në tregjet e jashtme. Një rritje e tillë është një shtytje drejt importit dhe varshmërisë së Kosovës nga imuri dhe jo nga prodhimi”, tha Gërxhaliu.