BSPK e zhgënjyer me vendimin e kryeministrit Mustafa për paga

BSPK shprehen të zhgënjyer me vendimin e kryeministrit Isa Mustafa, që të mos ketë ngritje të pagave nga viti i ardhshëm.

Lajme

12/12/2014 11:54

Vendimi i kryeministri të sapo zgjedhur Isa Mustafa, që të mos bëjë rritje të pagave prej 25 për qind në vitin e ardhshme, ka zhgënjyer Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Në një komunikatë për media të lëshuar nga BSPK, thuhet se nëse nuk mbahet premtimi i dhënë për rritje pagash nuk do të përjashtohet asnjë mënyrë e lejueshme për realizmin e premtimit të dhënë.

“Ndonëse nga shërbyesit civilë të Kosovës pritej me padurim ngritja e pagave për vitin e ardhshëm prej 25 % që ishte premtuar nga ish Kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaqi, tani Zëvendës Kryeministër, BSPK ndjehet e zhgënjyer me deklaratën e Kryeministrit të porsazgjedhur të Kosovës z. Isa Mustafa se kjo ngritje nuk do të ndodhë”.

“BSPK konsideron se mos respektimi i premtimit për ngritjen e pagave për shërbyesit civilë është një shpërfillje eklatante ndaj kësaj kategorie punëtorësh”.

“Nëse nuk do të respektohet premtimi i dhënë, atëherë BSPK do t’i shqyrtoj edhe variantet e lejueshme të veprimit sindikal për realizimin e të drejtave që u përkasin”, thuhet në komunikatë.