BSK, gjithçka gati për turneun atraktiv të futbollit në Prishtinë

Për herë të tretë me radhë në vendin tonë do të organizohet turneu i futbollit në rërë-zallë “Beach Soccer Kosova”.

Sport

05/09/2014 17:50

Dita: 8 dhe 9 shtator në Prishtinë
Koha: 02.09.2014 | 12:00

Pas dy edicioneve të zhvilluara në Pishinën e Gërmisë-Prishtinë dhe Liqenin e Batllavës-Orllan, ngjarja atraktive e futbollit të plazheve, rikthehet në kryeqytet, por këtë herë në zemër të Prishtinës, në Amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”.

Me 8 dhe 9 shtator, skuadrat më të mira nga vendet e ndryshme të Kosovës, do të sfidojnë  vetën për shpërblimet kryesore, “Vendi i parë 1,000 €” dhe “Vendi i dytë 500 €”.

Krahas faktit se për herë të parë turneu do të zhvillohet në një ambient të tillë, ndeshjet pritet të jenë po ashtu edhe më atraktive, pasi ato do të fillojnë nga ora 18:00 e do të zgjasin deri në mes natë.

Përveç futbollit atraktiv i cili do të zhvillohet nën dritat e reflektorëve, shikuesit do të mund të zbaviten me muzikë të zgjedhur por edhe me befasi të tjera të cilat organizatori i ka paraparë me sponsorët dhe mbështetësit e ngjarjes kryesore sportive të verës.

Si zakonisht turneu zhvillohet nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Kosovës, dhe në mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, Drejtoratit për Sport KK Prishtinë, dhe sponsorëve të ndryshëm.