Brukseli mbetet i njëjtë karshi dialogut

Emërimi i Frederica Mogherini, përfaqësues e lartë e Bashkimit Evropian, nuk pritet të ndikojë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel. 

Lajme

06/11/2014 09:06

Kështu mendon përfaqësuesja e Kosovës në këto bisedime, Edita Tahiri, e cila nuk pret ndryshimin e politikave të Bashkimit Evropian karshi këtij dialogu.

Sipas saj, BE-ja e ka të qartë që dialogu Kosovë-Serbi është një nga faktorët shumë të rëndësishëm për të forcuar raportet ndërfqinjësore mes këtyre dy vendeve.

“Prandaj BE-ja do t’i japë një rëndësi shumë të madhe vazhdimit të këtij dialogu. Ne presim që ky dialog të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka thënë Tahiri për gazetën Tribuna.

Ajo e ka çmuar lart kontributin e baroneshës Chatherine Aashton, në çështjet e vendosjes së marrëdhënieve fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas saj, nën ndërmjetësimin e Ashton, janë arritur shumë marrëveshje të cilat kanë ndikuar në lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave mes Kosovës dhe Serbisë.

“Këtë kontribut e shoh në kuptimin se janë arritur shumë marrëveshje të cilat kanë rëndësi jo vetëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, por janë marrëveshje që kontribuojnë edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë Tahiri.