Bruksel: Serbia shumë mbrapa me çështjen e kufijve

Nën kryesimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, delegacioni i Qeverisë së Kosovës ka zhvilluar takimin e radhës trepalësh të ndërmjetësuar nga BE për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Lajme

23/06/2016 13:33

Temë qendrore e këtij takimi ishte shqyrtimi i progresit për procesin e ndërtimit të ndërtesave të përhershme të IBM-së.

Kryesuesi i BE-së, Bernd Thran, në takim theksoi rëndësinë e progresit të arritur, duke vlerësuar si një zhvillim shumë të rëndësishëm për rritjen e efikasitetit në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit.

Sipas një komunikate të Qeverisë, delegacioni i Kosovës prezantoi progresin e arritur në përmbushjen e obligimeve të saj, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv me UNOPS-in dhe zyrën e BE-së në Kosovë.

Delegacioni i Kosovës theksoi veprimet që i ka ndërmarrë me qëllim të zbatimit sipas planit të ndërtimit të objekteve të përhershme, duke kryer me sukses shpronësimin e parcelave ku do të ketë ndërtime, pastaj takimet që i ka zhvilluar me akterët e brendshëm dhe me UNOPS-in, agjenci kjo e përzgjedhur nga ana e BE-së për zbatimin e këtij projekti.

“Delegacioni i Kosovës konfirmoi se është hartuar plani i dinamikave të ndërtimit, është arritur pajtueshmëria për projektimin dhe janë diskutuar detajet e funksionimit sa më të përshtatshëm të pikëkalimeve kufitare sipas standardeve më të larta për autoritetet shtetërore që operojnë në pikë kalime kufitare”, thuhet në komunikatë.

Nga ana e tij, UNOPS e bëri prezantimin e përgjithshëm të progresit në projekt, duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në të gjitha fazat e zbatimit, si dhe duke theksuar efektivitetin e palës së Kosovës për të gjitha çështjet e trajtuara së bashku. UNOPS në anën tjetër konstatoi se pala serbe është shumë më mbrapa me fillimin e punës konkrete me UNOPS-in për këtë projekt. UNOPS do të përfshi ndërtimin e të gjitha gjashtë pikëkalimeve kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë takim u raportua poashtu për progresin në hapjen e pikëkalimeve të reja kufitare, Kapi e Sfircës që lidhë komunën e Kamenicës me Medvegjën dhe Izvor në pjesën veriore, me ç‘rast të dy palët konfirmuan hapjen e këtyre dy pikë kalimeve të reja kufitare deri në fund të muajit shtator 2016.

Poashtu u diskutuan edhe aspektet tjera që ndërlidhen më bashkëpunimin ndërkufitarë të policive, doganave dhe agjencive tjera që funksionojnë në kufirin në mes të dy shteteve, sidomos lehtësimi në qarkullimin e qytetarëve tanë gjatë sezonës së verës që e përdorin Serbinë si vend tranzit.