Bruksel, identifikohet autori. Kishte bombë artizanale me gozhda

Personi i dyshuar për vendosjen e një bombe në stacionin qendror të Brukselit, të enjten, është identifikuar si një maroken 36-vjeçar, nga një lagje e qytetit që është bërë e famshme për numrin e xhihadistëve që kanë jetuar atje.

Bota

21/06/2017 18:11

“I dyshuari është nga Molenbeeku dhe mbante një bombë artizanale me gozhdë dhe bombola gazi”, thanë zyrtarët. Ai u qëllua dhe më pas humbi jetën në shpërthimin që u trajtua si sulm terrorist. Ai ishte i njohur për policinë, por nuk ishte lidhur më parë me terrorizmin.

Kryeministri belg, Charles Michel tha se një sulm terrorist ishte evituar në stacion. Prokurori Erik Van der Sypt tha se, i dyshuari i identifikuar vetëm me inicialet e tij O.Z., i ishte afruar një grupi pasagjerësh nën platformën kryesore dhe ishte përpjekur të hidhte në erë valixhen e tij.

Ajo shpërtheu pjesërisht dhe mori flakë, para se të shpërthente për të dytën herë. Autori më pas kishte vrapuar drejt një punonjësi të stacionit, e kishte marrë në shënjestër edhe një ushtar, duke thirrur “Allahu Akbar”, para se të qëllohej.

Ai vdiq më pas nga plagët, ndërsa në shtëpinë e tij në Molenbeek nisën operacionet e kontrollit nga forcat speciale. Pas një takimi të kabinetit të sigurisë, kryeministri tha se ishin marrë masa shtesë sigurie për të siguruar stacionet, vendet publike dhe shfaqjet e planifikuara.

Koncerte roku nga “Coldplay” pritet të mbahen në Bruksel të mërkurën dhe të enjten. Ndërkohë që të enjten dhe të premten do të mbahet edhe një samit i udhëheqësve të Bashkimit Europian. Belgjika, aktualisht është në nivelin e dytë më të lartë të sigurisë.

Brukseli u godit nga një shpërthim i dyfishtë në mars të vitit 2016, kur 32 vetë humbën jetën. Sulmet në Aeroportin e Zaventemit dhe në metronë e Brukselit u morën përsipër nga Shteti Islamik. Ndërkohë, shumë nga xhihadistët e përfshirë në shpërthimet e vitit 2016 në Bruksel, por edhe në Paris në nëntor të vitit 2015, vinin nga kryeqyteti belg, e veçanërisht nga Molenbeeku.