Bruce: Januzaj, talent i madh

Menaxheri i Hull Cityt, Steve Bruce ka lavdëruar Adnan Januzajn dhe thotë se Manchester United nuk mund të jetë në kohë të errëta, përderisa në skuadër ka një “futbollist të jashtëzakonshëm”, si ylli kosovar.

Lajme

07/05/2014 00:20

Menaxheri i Hull Cityt, Steve Bruce ka lavdëruar yllin e ri të Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, pas humbjes së skuadrës së tij në Old Trafford me rezultat 3:1.

19-vjeçari luajti si titullar dhe shkëlqeu në fitoren e Unitedit. Pas ndeshjes, Bruce e lavdëroi atë, duke thënë se gjiganti anglez ka një futbollist të jashtëzakonshëm tek kosovari.

“Nuk mund të jenë kohë të errëta kur në skuadër keni dikë si Adnan Januzaj. Ai është vetëm 19-vjeç, por duket futbollist i pjekur, shumë i pjekur”, deklaroi Bruce pas ndeshjes. “Te Januzaj, United ka një futbollist të jashtëzakonshëm të ri në Evropë”, u shpreh ai.

Kurse, sa i përket menaxherit të përkohshëm të Unitedit, njëkohësisht mesfushorit Ryan Giggs, Bruce shtoi: “Nëse ka përfunduar për Giggsin, ka qenë një karrierë e bujshme. Nuk do të ekzistojë ndokush më i dekoruar. Nganjëherë fjala i madh përdoret shpesh, por ai ka qenë një prej të mëdhenjve”.