Britanikja 20-vjeçare rrëfen tmerrin që përjetoi mbrëmë në Paris

20-vjeçarja britanike, Anna, e cila jeton në Paris ka folur për përjetimet saj gjatë natës së kaluar në Paris për tabloidin britanik “Mirror”.

Bota

14/11/2015 16:37

Ajo ishte duke kaluar afër teatrit të Bataclanit me shokët e saj kur ka dëgjuar të shtënat nga prapa.

“Vetëm sa kishim dalë nga kafeneja fare pranë Bataclanit. E vërejta se ishte mbyllur njw kafene, dhe menduam se ishte çudi sepse ora ishte ende 10:30. Një djalë erdhi me duar të gjakosura drejt nesh. Njëherë menduam se ishte i pastrehë. Dukej i panikosur dhe në frëngjisht na u drejtua neve. I vendosi duart në pozicionin e një qitësi.

Më pas pamë një mori policësh.

Dëgjuam të shtëna dhe filluam të vrapojmë. Shoku im më tha mos të shikoj prapa dhe të vazhdoj vrapin. Nuk ishim në dijeni se edhe një sulm tjetër ishte kryer në restorantin “La Carillon” dhe se po shkonim drejt tij.

Gjithkah kishte panik. Njerëzit mbyllnin dyqanet. Pak më larg një grua dëgjohej duke qarë. Gjithçka ishte aq konfuze sepse aq shumë ngjarje zhvilloheshin njëkohësisht. Kishte shumë njerëz në rrugë dhe u ndjemë klaustrofobikë, por nuk ndalej asnjë taksi që të na marrë.

Ishte e premte mbrëma dhe të gjithë moshatarët tanë ishin jashtë, por përveç La Carillonit, nuk kishte diçka speciale. Isha atje të premten e kaluar, është një bar normal parisien.

Secili në Paris po kërkon miqtë e vetë. Po ndjekim rrjetet sociale për të kuptuar se ç‘po ndodh. Ka ende sirena aktive. Nuk e di çfarë po ndodh. Dua vetëm që të jem në Londër”, ka rrëfyer ajo. /KosovaPress/