Britanikët me gjasa do të qëndrojnë në BE, pavarësisht euroskepticizmit

​Euroskepticizmi është shumë i përhapur në Britaninë e Madhe, megjithatë ekzistojnë ende gjasat që qytetarët britanikë të votojnë për të mbetur pjesë e Bashkimit Evropian, në referendumin që do të zhvillohet qershorin e ardhshëm, doli sot nga një sondazh.

Bota

24/02/2016 23:09

Rreth dy të tretat e 3 000 personave të intervistuar gjatë një sondazhi ishin skeptikë për BE-në, megjithatë vetëm 30 për qind e tyre kërkonin që Britania e Madhe të largohej nga unioni.

”Të paktën gjysma e tyre binin dakord se anëtarësimi po kërcënonte identitetin britanik, ndërkohë që vetëm një e katërta mendonte se ekonomia do të përmirësohej nëse vendi largohej nga BE-ja”, thanë zyrtarë të sondazhit.

Ndërkohë, kryeministri britanik, David Cameron u ka kërkuar qytetarëve që vendi të mbetet pjesë e BE-së, pas negociatave me bllokun për disa reforma që do t’i japin Britanisë së Madhe një status special.

Më 23 qershor, pyetja në fletën e votimit të referendumit do të jetë vetëm një: A duhet të mbetet Mbretëria e Bashkuar anëtare e Bashkimit Evcropian apo duhet të largohet nga Bashkimi Evropian?