Britania ofron mbështetje për çështjen e personave të zhdukur

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur(KQPZH), Prenkë Gjetaj, priti në një takim Ambasadorin e Britanisë në Prishtinë, Ruairi O’Connell, ku u diskutua mbi punën e deritanishme dhe në përgjithësi procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë.

Lajme

23/06/2015 18:44

Sipas një njoftimit për media të lëshuar nga zyra e KQPZH, Gjetaj njoftoi Ambasadorin O’Connell mbi zhvillimet e fundit dhe angazhimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjegjësisht të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në përpjekjen për ndriçimin e fatit edhe të 1654 personave, të evidentuar si të zhdukur të luftës.

Po ashtu, Kryetari i Komisionit Qeveritar falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për përkrahjen e rëndësishme që ka dhënë në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

“Me këtë rast, Gjetaj, theksoi se çështja e personave të zhdukur duhet të vazhdojë të trajtohet me prioritet nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhënë në këtë proces, mirëpo duke theksuar se ka ardhur koha që ky proces gradualisht të kalojë në kompetencë të plotë të institucioneve vendore”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ambasadori O’Connell, ritheksoi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të përkrahur Republikën e Kosovës në këtë proces mjaft të vështirë dhe të ndjeshëm, në përpjekjen e përbashkët që familjet e personave të zhdukur të kenë sa më parë informacion për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur gjatë luftës.