Britania në kaos politik pas shtyerjes së votimit për Brexit-in

Të hënën Kryeministrja britanike Theresa May shtyu votimin e rëndësishëm në parlament rreth marrëveshjes së arritur me Bashkimin Evropian, përballë një disfate pothuajse të sigurt, që mund t’i kërcënonte vendin në krye të qeverisë.

Bota

11/12/2018 17:11

Zonja May thotë se ajo do të niset drejt Brukselit, në një përpjekje për të siguruar garanci të mëtejshme për një marrëveshje të ardhshme tregtare që do të shmangte të ashtuquajturën “pengesa irlandeze”. Bashkimi Evropian thotë se marrëveshja nuk do të rinegociohet dhe se koha po kalon me shpejtësi drejt afatit për daljen nga BE parashikuar më 29 mars, pa një zgjidhje të lehtë përpara.

Dita e vendimit u shty sërisht.

“Lidhur me një problematikë, pengesa e Irlandës së Veriut. Ka ende shqetësim të përhapur e të thellë. Si rezultat, nëse do ta mbanim votimin nesër, marrëveshja do të refuzohej me një diferencë të konsiderueshme”, tha zonja May.

Një rezultat i tillë mund të kishte qenë shkatërrimtar për udhëheqjen e Theresa May-it. Në vend të kësaj, ajo zgjodhi të shkojë në Bruksel këtë javë në një përpjekje për siguruar garanci të mëtejshme nga Bashkimi Evropian mbi pengesën që po i krijon Irlanda. Neni në marrëveshje për këtë çështje, do ta mbante Britaninë të mbyllur kryesisht në rregullat e BE-së, nëse të dyja palët nuk mund të binin dakord për një marrëveshje të ardhshme tregtare.

Do të shmangte vendosjen e një kufiri të fortë në Irlandën e Veriut, por do të ishte gjithashtu një vijë e kuqe për shumë ligjvënës britanikë. Por Evropa thotë se negociatat kanë mbaruar.

“Marrëveshja e shkëputjes, përfshirë edhe barriera irlandeze është e vetmja marrëveshje në tryezë. U desh rreth një vit e gjysëm për ta negociuar dhe ka mbështetjen e 28 qeverive. Është e pamundur të rihapet një çështje e marrëveshjes pa rihapur të gjitha aspektet e saj”, thotë Kryeministri irlandez Leo Varadkar.

Monedha britanike paudi, shënoi të hënën nivelin më të ulët në 20 muaj. Ekzistojnë spekulime se presioni i tregut mund t’i detyrojë deputetët të rishohin qëndrimet dhe të mbështesin marrëveshjen e Theresa May-it. Por disa të tjerë nuk janë të sigurt se kjo do të ndodhë.

“Mendoj se spekulimet kanë ndikuar tek çmimi i sterlinës”, thotë Alan Wager, i programit “Mbretëria e Bashkuar në një Europë në Ndryshim”.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë dukej se ofronte vetëm një rrugëdalje me vendimin e saj të hënën që Britania të mund të revokojë qëllimin e saj për të dale nga BE-ja, pa lejen e anëtarëve të tjerë të BE-së. Por a është Britania gati të bëjë një kthesë të madhe në lidhje me daljen nga BE?

“Në qoftë se ekziston një situatë bllokimi në parlament dhe nuk ka rrugë tjetër përveçse asaj të daljes pa një marrëveshje, atëherë duket se ka një shumicë në parlament për një referendum të dytë”, thotë Alan Wager.

Por Theresa May i ka refuzuar thirrjet për një referendum tjetër. Kundërshtarët thonë se kjo do të përkeqësonte përçarjet në rritje në vend.

“Nuk duket sikur ka ndonjë mënyrë tjetër për të dalë nga një shoqëri që është e ndarë ndërsa diskututon çështjen të qëndrojë apo largohet.”

Ligjvënësit që janë kundër marrëveshjes aktuale thonë se Theresa May duhet të kthehet nga Brukseli me ndryshimet në atë që njihet si “barriera irlandeze” ose të përballet me humbjen kur të mbahet procesi i votimit, parashikuar të zhvillohet deri më 21 janar. Kjo do të rriste mundësinë që Britania të mbetej pa marrëveshje si dhe të krijonte probleme të mëdha ekonomike për vendin. Dy vjet e gjysëm pas referendumit për daljen nga BE, politikanët britanikë nuk duken të jenë pranë marrjen së një vendimi se si vendi duhet të largohet nga Bashkimi Evropian dhe populli britanik duket më i ndarë se kurrë.