Britania mund të kërkojë ekstradimin e dy të dyshuarve rusë për rastin Skripal

Britania është duke u përgatitur për t’i kërkuar Rusisë të ekstradojë dy burra që dyshohet se kanë kryer sulmin me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Sallsbëri, ka raportuar gazeta, The Guardian.

Bota

07/08/2018 09:30

Duke cituar burime qeveritare dhe ato të sigurisë, gazeta ka thënë më 6 gusht se prokurorët britanikë kanë kompletuar një kërkesë për ekstradim dhe janë gati për ta dorëzuar.

Ambasada ruse në Britani ka thënë se ende nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Londra.

The Guardian ka raportuar se një hetim i qindra policëve britanikë dhe zyrtarëve të inteligjencës ka bërë së bashku lëvizjet e dy rusëve, nga hyrja e tyre në Britani e deri te largimi nga ky vend.

Ministria e Brendshme britanike nuk ka pranuar të komentojë raportin.

Agjencia e lajmeve britanike, Asociacioni për Shtyp ka raportuar muajin e kaluar se policia ka identifikuar dy rusë të dyshuar për sulmin në Sallsbëri, mirëpo nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar as për këtë raport.

Kushtetuta Ruse ndalon ekstradimin e qytetarëve rusë në shtetet tjera, andaj çdo kërkesë për një gjë të tillë ka mundësi që do të kundërshtohet.

Britani fajëson Rusinë për helmimet dhe ka idenfikuar helmin si Noviçok, një grup agjentësh nervorë vdekjeprurës, të krijuar nga ushtria sovjetike në vitet 1980.

Rusia në anën tjetër ka kundërshtuar vazhdimisht çdo përfshirje në këtë sulm.