Britania e Madhe do të vazhdojë të përkrah Kosovën në sistemin e Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur nё takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili fillimisht uroi ministrin Tahiri për detyrën e re.

Lajme

18/09/2017 16:15

Gjatë këtij takimi, Ministri Tahiri, e falënderoi Ambasadorin O’Connell për bashkëpunimin e deritanishëm që ka pasur në të kaluarën me Ministrinë e Drejtësisë dhe ka vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërshtetërore në rrafshin bilateral, duke theksuar bashkëpunimin që institucionet e Kosovës vazhdojnë ta kenë me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, sidomos në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit.

Tahiri shprehu  përkushtimin për të punuar me intensitet tё shtuar në të ardhmen në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe në forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi.

O’Connell ka ripërsëritur qëndrimin që Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përkrahë dhe të ofrojë bashkëpunim dhe mbështetje në fusha të ndryshme në sistemin e drejtësisë.