Brezovica kthehet në “lojë”

Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë Qeverisë së Kosovës që të nis negociatat për qendrën turistike Brezovica, me investitorë potencial. Kushdo që ia mbushë mendjen ekzekutivit se mund të menaxhoj më mirë me kompleksin e turizmit dimërorë, mund të marrë në pronësi Brezovicën pa iu nënshtruar procedurave tenderuese fare.

Lajme

03/02/2017 12:54

Kështu parashe Ligji për Investimet Strategjike, i cili ishte dërgur për interpretim në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën e Listës Serbe me pretendimin se bartja e autorizuar e së drejtës së shfrytëzimit të pronave të paluajtshme të ndërmarrjeve shoqërore, shkelte kompetencat e komunave që dilnin nga Plani i Ahtisaarit.

“Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës nuk kanë dëshmuar pretendimin e tyre në baza kushtetuese dhe nuk kanë paraqitur prova që tregojnë se si dhe përse me Ligjin e kontestuar për Investime Strategjike është shkelur Kushtetuta, qoftë për shkak të procedurës, qoftë për shkak të përmbajtjes”.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka konfirmuar në një intervistë për Gazetën Fjala se kanë qenë në pritje të këtij vendimi për të proceduar me projektin e Brezovicës.

Javën e kaluar ajo ka thënë se Qevveria është e intersuar që ky projekt do të realizohet me sukses, por nuk ka treguar se a do të ketë rezultatete konkrete këtë vit.

“Shpresojmë se Kushtetuesja së shpejti do ta nxjerrë opinionin e saj dhe në këtë mënyrë do ta kemi të qartë se me cilën bazë ligjore do të zhvillohen procedurat e realizimit të këtij projekti. Projekti i Brezovicës vazhdon të ketë vëmendje të lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe besojmë se me përgatitjet serioze që jemi duke i ndërmarrë ky projekt do të realizohet me sukses”, ka thënë Bajrami, një ditë para se të nxirrej vendimi i Kushtetueses.

Bajrami në kërkim të strategjisë për Brezovicën

Sipas Bajramit Qeveria e Kosovës ka bërë një analizë të procesit të parë i cili ka filluar në mandatin e kaluar qeverisës në mënyrë që në procesin e ri për zhvillimin e kësaj qendre të përzgjidhet modaliteti i cili do të sigurojë mekanizma të cilët i japin siguri suksesit të financimit të këtij projekti.

“Në këtë drejtim, ne jemi duke punuar ngushtë me partnerët tanë nga USAID-i. Një nga opsionet e shqyrtuara nga Qeveria e Kosovës për procedim është Ligji për Investime Strategjike i cili është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës por i cili ligj ka shkuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese”.

Vitin e kaluar, konzorciumi francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, ka dështuar të sigurojë 163 milionë euro për fazën e parë të investimeve në resortin e Brezovicës.

Si rrjedhojë e pamundësisë së Partnerit Privat për të siguruar mjetet financiare në përputhje me termat dhe kushtet e Marrëveshjes së PPP dhe propozimin detyrues nga Partneri Privat, Komiteti Drejtues Ndërministror në përputhje me kontratën mori vendim për të shkëputur Marrëveshjen e PPP-së dhe për ekzekutimin e sigurimit të tenderit të Partnerit Privat (500.000euro).

Kompleksi turistik “Brezovica” është një nga potencialet më të mëdha turistike që ka Kosova, si qendër e turizmit veror dhe dimëror.

Strategjia e rrezikshme

Njohësit e ekonomisë patën ngritur shqetësimin se me Ligjin për Investime Strategjike, Qeveria e Kosovës po synon të sjellë në Kosovë vetëm investitorë të mëdhenj. Sipas tyre, kjo bartë me vete rrezikun që investitorët e vegjël të jenë të diskriminuar, e që do të sillte dëme për Kosovën, shkruan Gazeta Fjala.

Problem tjetër me këtë ligj është edhe një nen i cili mundëson transferimin e pronës shtetërore të investitori pa procedura tenderuese.

Po ashtu, përmes këtij ligji që u miratua me 11 tetor të vitit të kaluar, Qeveria e ka të drejtën që ndërmarrjet publike t’i privatizojë pa procedura tenderuese.

Instituti GAP, gjatë muajit shkurt të këtij vitit të kaluar, e kishte publikuar një raport ku jepeshin disa rekomandime, e ndër to cekej që duhet të largohet neni që e lejon transferimin e pronës shtetërore te investitori pa procedura tenderuese ose që të kërkohet edhe vota e Kuvendit të Kosovës mbi këtë çështje.

Po ashtu, një mangësi tjetër ishte sepse ky ligj nuk ofron lirime në taksat për punëtorë e as heqje të tatimit të doganës për lëndën e parë.

Sipas raportit të institutit GAP, renditja e Kosovës në të bërit biznes të Bankës Botërore për vitin 2016, tregon se Kosova gjendet në vendin e 66-të, dy vende më poshtë se në vitin 2015. Ndërkaq, nga vendet rajonale vetëm Shqipëria është më poshtë se Kosova, më saktësisht në vendin e 97. Maqedonia renditet në vendin e 12, Kroacia në vendin e 40, Mali i Zi në vendin e 46 dhe Serbia në vendin e 59.

Mirëpo, njohës të çështjeve ekonomike e shohin nga këndvështrime të ndryshme miratimin e këtij ligji, ku sipas tyre ky ligj ka përparësi, por që duhet të ketë edhe një shtet ligjor në mënyrë që ketë rezultate pozitive./Gazeta Fjala