Brezovica gati për koncesion, vendimi së shpejti

Këtë muaj pritet të shpallet kompania fituese për koncesionimin e qendrës turistike “Brezovica”, thonë zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Lajme

02/11/2014 11:04

Në garë për këtë qendër tashmë gjendet vetëm kompania MDP Consultants (konsorcium nga Franca dhe Andora), që sipas të gjitha gjasave kjo edhe do të jetë kompania fituese për zhvillimin e këtij kompleksi.

Kjo kompani, sipas autoriteteve kompetente, posedon kapacitete të nevojshme për të projektuar, financuar dhe ndërtuar një qendër për turizëm malor dhe rekreacion për gjatë gjithë vitit për vizitorët lokal dhe ndërkombëtar.

Lulzim Demolli, këshilltar politik për media i ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, tha se projekti për zhvillimin e Qendrës turistike “Brezovica”, është në fazën e vlerësimit të ofertës se pranuar nga konsorciumi francezo –andorian – kosovar.

“Ne jemi në pritje që këto ditë ekspertët vlerësues të dorëzojnë raportin e tyre, më pas i mbetet komitetit ndërministror që të bëjë vlerësimin e rekomandimeve të ekspertëve dhe këtë muaj të vendoset  të nënshkruhet apo jo me ofertuesin e kualifikuar”, tha Demolli për Radion Evropa  e Lirë.

Në garë për këtë qendër kanë qenë katër kompani të parakualifikuara, por tri nga to për arsye të ndryshme nuk i kanë dorëzuar ofertat e tyre, tha Demolli.

Edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi në Facebook para disa ditësh ka shkruar se procesi i ofertimit për koncesionim ka përfunduar  dhe se ekspertët e agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillim ndërkombëtar janë duke e analizuar ofertën e konsorciumit të famshëm francez.

Brenda këtij viti, ka shkruar ai, do të përfundon procesi shumëvjeçar i gjetjes së investitorit dhe kështu do të fillon një faqe e re e zhvillimit ekonomik të këtyre trevave. Mbi 200 milionë euro pritet të investohen në zhvillimin e qendrës më të mirë të skijimit në këtë pjesë të Ballkanit

Në anën tjetër, ekspertë të kësaj çështje e konsiderojnë të ngutshëm dhe joligjor shpalljen e kompanisë fituese me vetëm një ofertues në garë.

Zekë Çeku ekspert i fushës së turizmit, njëherësh udhëheqës i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, shprehet se për të arsyetuar vonesat dhe parregullsitë në këtë proces, autoritetet kompetente do vendosin të shpallin kompaninë fituese me vetëm një ofertues dhe të arsyetohen para opinionit se po marrim një hap të rëndësishëm. 

“Unë mendoj se është jo serioze që të shkohet më një operator, ky është një projekt madhor që kërkon shumë kohë, kërkon shumë  njohuri dhe referencë jashtëzakonisht të fuqishme. Unë nuk e njoh operatorin, prandaj nuk mund të vlerësoj operatorin, por procesin si proces  ka shkuar në mënyrë të gabuar që nga fillimi dhe tash me një nguti për çfarë arsye të shkohet vetëm një operator”, tha Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Por, përfaqësues të Komitetit për Partneritet Publiko – Privat pohojnë se procesi i koncesionimit të Brezovicës ka shkuar sipas të gjitha procedurave ligjore.

Lorik Fejzullahu, nga ky komitetet, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Ligji i Prokurimit Publik lejon që të procedohet më vetëm një ofertë,  nëse për këtë vendos autoriteti Kontraktues.

“Rasti i Brezovicës ka shkuar me një proces konkurrues, ku ka pasur kualifikime të kompanive dhe në fazën e dytë ka qenë vetëm një ofertë. Ligji për Partneritet Privat dhe Ligji mbi Prokurimin Publik ka mekanizma që parashohin raste të tilla ku pranohet vetëm një ofertë dhe rezervon të drejtën që autoriteti kontraktues të marrë vendim nëse do të ecë përpara për një ofertë”, është shprehur Fejzullahu.