“Brexit”, konservatorët sfidojnë kryeministren May për lidershipin

May, e cila erdhi në postin e kryeministres vetëm pak pasi Britania e Madhe votoi në favor të shkëputjes nga Bashkimi Europian në vitin 2016, është përballur me kritika të ashpra brenda partisë për planin e negociuar prej saj të “Brexit”-it.

Bota

12/12/2018 09:48

Ajo që pritej, do të ndodhë! Kryeministrja britanike, Theresa May do të përballet gjatë kësaj të mërkure me një mocion mosbesimi brenda Partisë Konservatore, me deputetët konservatorë që do të votojnë nga ora 19 deri në 21, me orën tonë.

Sfida ndaj pozicionit udhëheqës të Theresa Mayt vjen pas dorëzimit të 48 kërkesave që bënin thirrje për një garë partiake.

May, e cila erdhi në postin e kryeministres vetëm pak pasi Britania e Madhe votoi në favor të shkëputjes nga Bashkimi Europian në vitin 2016, është përballur me kritika të ashpra brenda partisë për planin e negociuar prej saj të “Brexit”-it.

Nuk dihet gjithsesi sesa shpejt do të mund të mësohet rezultati i votimit, por May duhet të marrë shumicën e thjeshtë të deputetëve konservatorë, në mënyrë që të fitojë përballë mocionit të mosbesimit. Nëse kjo ndodh, ajo do ta ketë rrugën e shtruar edhe për të paktën një tjetër vit, transmeton “Tch”.

Por, nëse May rrëzohet, atëherë pritet të hapet zyrtarisht gara për lidershipin e konservatorëve, garë në të cilën ajo nuk do të mund të jetë kandidate.

Ekziston edhe një tjetër opsion, sipas të cilit, edhe nëse May fiton por jo në mënyrë bindëse, ajo mund të vendosë të tërhiqet nga posti i kryetares së partisë. Por duke qenë se Partia Konservatore është më e madhja në Dhomën e Komunëve, kushdo që pritet të vijë në krye të saj do të ishte gjithashtu kandidat për kryeministër.