Brexit-i: BE-ja dhe Britania pajtohen për periudhën e tranzicionit

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord për “një pjesë të madhe” të marrëveshjes që do të çojë në “largimin e rregullt” të Britanisë nga blloku.

Bota

19/03/2018 14:25

Negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier, tha se dy palët janë pajtuar për një periudhë të tranzicionit, duke e quajtur atë një “hap vendimtar”.

Ai i bëri këto komente në Bruksel pas takimit me sekretarin e Britanisë për Brexit, David Davis.

Periudha e tranzicionit do të nisë nga dita e Brexit-it, më 29 mars, 2019, dhe do të shtrojë rrugën për marrëdhënie të përhershme.

Barnier tha se ka marrëveshje për të drejtat e qytetarëve të BE-së në Mbretërinë e Bashkuar dhe për qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar në BE pas Brexit-it.

Të dyja palët shpresojnë se kushtet e marrëveshjes për priudhën e tranzicionit do të mund të nënshkruhen në një samit të BE-së këtë javë.

Britania ka vendosur të lërë Bashkimin Evropian në një referendum të mbajtur në vitin 2016.