Brenda një viti importohen 25 milionë litra qumësht (Video)

Kosova brenda një viti importon produkte të qumështit 25 milionë litra apo në vlerë prej rreth 16 milionë euro, 13 milionë nga këto vinë nga Sllovenia. Vetëm në pesë mujorin e parë të këtij viti janë importuar 11 milionë e 766 mijë kilogram qumësht në vlerë prej 6 milionë e 871 mijë euro.

Lajme

26/06/2016 14:29

Shtete të cilat dominojnë në tregun tonë me këto produkte, janë Sllovenia, Bosnja, Serbia dhe Maqedonia. Kështu kanë bërë të ditur për KosovaPress zyrtarë doganorë. Shoqata e qumshtarëve kërkon të ndalohet krejtësisht importi i qumështit pluhur.

Këto importe të mëdha të qumështit për drejtues të shoqatës së qumështarëve janë shqetësuese, për faktin se prodhimi vendor i këtyre produkteve plotëson nevojat e konsumit të brendshme 55 përqind.

Përveç kësaj qumështarët shprehin brengën e tyre se ka prej këtyre produkteve të importuara me prodhime të jashtëligjshme të cilat nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret minimale-higjienike dhe sanitare. Qumështarët kërkojnë ndalimin e importit të qumështit pluhur, ngase për këtë produkt ka prodhim të mjaftueshëm.

Kryetar i Shoqatës së Qumështarëve, Ramadan Mema, për KosovaPress thotë se në kuadër të këtyre importe ve të qumështit ka edhe të jashtëligjshme. Sipas tij, rreth 4 milionë kilogram produkte të qumështit janë importuar për çdo vit me yndyrorë bimore. Sikur kjo prodhimtari do t’u zëvendësonte me prodhime nga qumështi vendor, atëherë do t’u hapeshin në Kosovë edhe qindra ferma komerciale dhe mijëra vende të reja të punës.

Mema tha se sasia e prodhimtarisë së qumështit në Kosovës është rreth 170 mijë litra në ditë ose 6 milionë e 205 mijë litra në vit.

“Prodhimtaria vendore e qumështit ka pasur një zhvillim, mirëpo ky zhvillim ka edhe një stagnim,faktikisht në katër pesë vitet e fundit pothuajse nuk ka mundësi që sasia e qumështit të rritet më tepër për shkak të problemeve të cilat ne i kemi diskutuar kohë pas kohe. Mirëpo nëse flasim për përqindjen e përmbushjes së nevojave të vendit me qumësht dhe me produkte të qumës htit në raport me importin, del që ne diku rreth 55 përqind të nevojave të konsumit ditor plotësojmë me prodhimtari vendore të qumështit”, tha Mema.

Përfaqësuesi i qumështarëve përpunues thotë se i kanë bërë një kërkesë Qeverisë për ndalimin e tërësishëm të qumështit pluhur, sepse ka sasi të bollshme të qumështit kosovarë, dhe konsumatorët të kenë mundësi më të madhe për të konsumuar prodhime të freskëta nga qumështi vendor.

“Ne kemi bërë një kërkesë në fakt edhe Qeverisë së Kosovës që të ndalojë krejtësisht importin e qumështit pluhur për shkak se kemi sasi të mjaftueshme të qumështit vendor, i cili është shumë më kualitativ sesa qumështi pluhur i cili importohet. Ne kemi kërkuar që krahas prodhimeve yndyrorë bimore të ndalohet edhe importi i qumështit pluhur në mënyrë që konsumatorët të kenë një mundësi më të madhe për të konsumuar prodhime të freskëta nga qumështi vendor”, deklaroi Mema.

Për shqetësimin dhe preokupimin e qumështarëve rreth problemit të sektorit të qumështit dhe importin kryesisht të pa kontrolluar, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci për KosovaPress se Dogana për qumësht dhe produkte ushqimore, kryesisht bazohet në parametrat e nënshtrimit të procedurës së zhdoganimit, dhe bënë vlerësimin e sasisë, vlerës dhe peshës.

Sipas tij, dogana nuk e bënë asnjë zhdoganim të mallrave ushqimore dhe të qumështit pa lëshuar certifikatën Agjencia e Ushqimit të Kosovës.

“Dogana kryesisht bazohet në disa parametra të tjerë, ku përveç qumështit dhe të gjithë artikujve të tjerë të cilët i nënshtrohen procedurës së zhdoganimit, dogana bënë këta parametra: në sasi, vlerë dhe peshë. Do të thotë këta janë parametrat të cilët dogana e tarifon një lloj produkti… As një produkt qoftë qumësht… fillimisht duhet të pajiset me licencë prej Agjencisë së Ushqimit dhe pastaj të filloj zhdoganimi”, theksoi Stavileci.

Derisa, KosovaPress ka kontaktuar edhe zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës për cilësinë e produkteve të qumështit dhe masave të ndërmarrë ndaj shqetësimit të qumështarëve, këta zyrtarë të AUV i kanë ikur prononcimit.

Stavileci ka treguar se për vitin 2015, këto 25 milionë litra kanë pasur vlerë afër 16 milionë euro, dhe sipas tij afër 60-70 cent sjellët çmimi litrës në import. Ndërsa, në pesë mujorin e këtij viti, këto produkte ishin importuar 10 milionë e 600 mijë litra në vlerë prej 6 milionë e 871 mijë euro. Stavileci tha se për nga importi prinë Sllovenia me rreth 13 milionë litra qumësht në vit.

“Kryesisht mesatarja vjetore e importit të qumështit në Kosovë sillet rreth 25 milionë litra brenda një viti. Pjesa më e madhe e qumështit apo rreth 13 milionë litra brenda një viti vijnë prej Sllovenisë, pastaj vjen Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina me 6 milionë litra brenda një viti, pastaj edhe Serbia. Ndaj, këto janë katër vendet të cilat dominojnë në importin e qumështit”, tha Stavileci.

Qumështarët pretendojnë të zgjidhen këto probleme me një vullnet të mirë nga institucionet përkatëse, duke respektuar ligjet në fuqi, si dhe me hartimin e një kornize ligjore me udhëzime administrative, i cili do t’i specifikonte në mënyrë të qartë produktet të cilat vijnë nga importi dhe të cilat do të duhet t’i plotësoheshin kriteret dhe standardet minimale në kuptimin e kualitetit dhe cilësisë./kp

YouTube player