Brenda dy javëve vriten tre gazetarë në Filipine

Gazetari Cosme Maestrado është qëlluar për vdekje të enjten (28 gusht), dhe ky është gazetari i tretë që është vrarë gjatë dy javëve të fundit në Filipine, shkruan “TheGuardian”.

Bota

01/09/2015 11:38

Prezantuesi i radios ishte qëlluar 10 herë me armë zjarri nga katër persona të armatosur në një rrugë në qytetin Ozamiz, në provincën Misamis Occidental, në ishullin jugor të Mindanao. Sulmuesit thuhet se kishin ikur nga vendi i ngjarjes me dy motoçikleta, transmeton lajmi.net.

46-vjeçari Maestrado, gazetar në radiostacionin lokal Mindanao dxOC, ishte i njohur për komentet e tij të ashpra mbi korrupsionin lokal dhe abuzuesit që janë në pushtet. Por ai gjithashtu kishte punuar edhe si konsulent për media në zyrën e kryetarit të qytetit Ozamiz.

Në nëntor të vitit 2011, Maestrado i kishte mbijetuar një sulmi, ndërkaq vrasja e tij është shënuar si rasti i tretë i vrasjes së gazetarëve gjatë këtyre dy javëve të fundit.

Më 20 gusht, Teodoro Escanilla, gazetar në radiostacionin dzMS të krahinës lindore Sorsogon, dhe zëdhënës i grupit për të drejtat e njeriut Karapatan, është vrarë para shtëpisë së tij.

Më 18 gusht, botuesi i një gazete lokale Gregorio Ybanez, është qëlluar për vdekje para shtëpisë së tij në qytetin Tagum, në provincën jugore të Davao.

“Vrasja e tre gazetarëve në dy javët e fundit tregon mungesën e progresit në mosndëshkimin e atyre personave që po mundohen të heshtin mediat në Filipine”, ka deklaruar Shawn Crispin, përfaqësues i lartë i komitetit për mbrojtjen e gazetarëve në Azinë Juglindore. (lajmi.net)