Brazili shkel Panamanë

Brazili mposhti kundërshtarin e ardhshëm të Kosovës për miqësore, Panamanë, duke e mposhtur me rezultat 4:0. Nikoqiri i Kampionatit botëror, i udhëhequr nga Neymar, tregoi se është në top-formë.

Sport

03/06/2014 23:56

Brazili fitoi ‘stërvitjen’ me Panamanë, duke shënuar fitore me rezultat të thellë 4:0 në kuadër të ndeshjes miqësore.

Në ballafaqim me kundërshtarin e ardhshëm të Kosovës për miqësoret e caktuara për muajin tetor, nikoqiri i Kampionatit botëror u tregua i pamëshirshëm dhe i bombardoi me gola.

Neymar e kaloi Brazilin në epërsi në minutën e 27-të kur shënoi një gol të bukur nga goditja e lirë. Kurse, avantazhin e dyfishoi bashkëlojtari i Neymarit nga Barcelona, Daniel Alves në minutën e 40-të.

Pas intervalit, sulmuesi Hulk e shënoi golin e tretë të Brazilit në minutën e 46-të. Ndërsa, rezultatin përfundimtar e vendosi mesfushori Willian me golin e tij në minutën e 73-të.

Kështu, skuadra e selektorit Luiz Felipe Scolari bëri një ngrohje të mirë të radhës, para ndeshjes së parë në Botëror me Kroacinë më 12 qershor.