Braktisin Kuvendet Komunale për postin e deputetit

Shumë këshilltarë komunal, të cilët në zgjedhjet lokale të vitit 2013 u zotuan se po hyjnë në garë për të bërë ndryshime në nivelin komunal, tash po i braktisin pozitat e tyre.

Lajme

13/07/2014 20:28

Kjo gjë po ndodhë pasi që shumë prej tyre garuan edhe në zgjedhjet nacionale të 8 qershorit, duke mëtuar që të bëhen deputet.

Puhie Demaku, Fisnik Ismajli janë dy këshilltarët komunal në Komunën e Prishtinës, të cilët kanë pranuar se do të lënë këtë pozitë, pasi që mendojnë se do të japin kontribut më të madh në nivelin qendror.

Prishtinën do e lë edhe nënkryetari i saj, Dardan Sejdiu i cili ka deklaruar se partia e tij ka menduar se ai duhet të jep kontributin e tij në Kuvendin e Kosovës.

Edhe Labinotë Demi-Murtezi do të braktisë pozitën e saj si Drejtoreshë e Shëndetësisë në Gjilan,  për ulësen e deputetes në legjislaturën e pestë të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, Memli Krasniqi ka thënë për KTV se në ditët në vijim do të bëhet e qartë se nëse ai do të braktisë Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë se është e drejtë e secilit kandidatë që të zgjedhë se ku dëshiron të jap kontributin e tij, pasi që ai të ketë siguruar votat e nevojshme në secilin nivel qeverisës. Mirëpo, sipas tij, shqetësues mbetet cilësia e përfaqësuesve në Kuvendet Komunale.

“Nga viti 2000 kur i kemi pasur zgjedhjet e para lokale në Kosovë, trendi i cilësisë është duke rënë. Por, kjo nuk do të thotë se është një faktorë kryesor i cili ndikon në rënien e cilësisë së anëtarëve të Kuvendeve Komunale”, ka thënë ai për KTV.