Braktisën Qeverinë, por jo postet!

Lista Serbe tash e plot gjashtë muaj janë deklaruar se kanë braktisur koalicionin qeverisës ‘PANA’, madje, ata së fundmi e kanë bërë të qartë opozitarizmin e tyre duke kërcënuar edhe me protesta, por postet nuk po i lëshojnë!

Lajme

13/11/2018 22:08

Anëtarët e Listës Serbe, përveç që nuk kanë hequr dorë nga postet e tyre qeveritare, ata këto poste po i shfrytëzojnë edhe të lobojnë kundër Kosovës, madje edhe duke udhëtuar jashtë vendit për të kërkuar ndihmë për çështje ‘ekstreme’, transmeton lajmi.net.

Zëvendëskryeministri i Kosovës një herësh edhe ministër për Kthim dhe Komunitete në detyrë, Dalibor Jevtiq, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Austri, me ç’rast është takuar me zëvendëspresidentin austriak Heinz-Christian Strache.

Lexo edhe:

Zv/kryeministri i Kosovës kërkon përkrahjen e Austrisë për themelimin e AKS-së

Ai këtë takim e ka zhvilluar në kuadër të vizitës zyrtare, si person zyrtar i Kosovës, bile edhe udhëtimi i tij është bërë falë taksave të qytetarëve të Kosovës,

Jevtiq ka shfrytëzuar rastin që së bashku me zëvendëspresidentin austriak të kërkoj mbështetje për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Lajmi.net ka dërguar pyetje në adresën e Dalibor Jevtiq, për të kuptuar se cili është qëndrimi i tyre, janë brenda apo jashtë Qeverisë, por nuk ka marrë përgjigje. Sido qoftë Jevtiq dhe të tjerët vazhdojnë të qëndrojnë në postet e tyre ekzekutive, pavarësisht se sipas tyre nuk do të përkrahin asnjë sugjerim që vjen nga Qeveria.

Qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn, thotë se ata janë pjesë e Qeverisë, por një gjë  të tillë nuk e dëgjojmë nga ministrat dhe partia serbe.

Lajmi.net ditë më parë ka dërguar pyetje edhe në zyrën e kryeministrit në lidhje me këtë cështje, por nuk ka marr përgjigje as nga ata.

Në anën tjetër Lista Serbe së fundmi është zotuar se do të mbështesin çfarëdo lloj mocioni për rrëzimin e qeverisë dhe kanë vazhduar lobimin e tyre kundër Kosovës dhe kundër proceseve integruese.

Lista Serbe, po vazhdon tentimet me anë të shantazheve të ndikojë politikën e Kosovës dhe të ndikojë vendimet e institucioneve të vendit, mirëpo të njëjtit po vazhdojnë të mbajnë postet dhe të paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

Kujtojmë, se Lista Serbe ka tri ministri në Qeverinë Haradinaj, ministrinë e Bujqësisë, Nenad Rikalo, ministrinë e Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq dhe ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Delibor Jevtiq. /Lajmi.net/