Brahimaj: Lista e Interpolit u negociua nga Qeveria, mbeti veç Haradinaj

Institucionet shtetërore të Kosovës kanë pasur njohuri të sakta se kush është pjesë e listës së Interpolit, mirëpo nuk u kanë treguar partive politike e as deputetëve.

Lajme

11/01/2017 21:41

Kështu ka deklaruar Lahi Brahimaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ai ka shtuar se këto institucione gjithashtu e kanë ditur se nga lista e Interpolit janë larguar 137 persona, nga 157 sa ishin gjithsej dhe në listë tashmë janë vetëm 20 persona.

Këtë gjë e ka konfirmuar përmes një interviste tre javë para se të arrestohej Haradinaj, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, shkruan gazetatribuna.

“I pari në listën e 20 personave tash është Ramush Haradinaj” ka thënë Brahimaj, i cili ka pohuar gjithashtu se ai dhe partia e tij tashmë e posedojnë këtë listë.

Ai ka deklaruar se në këtë listë kanë qenë edhe presidenti Hashim Thaçi, kreu i Kuvendit Kadri Veseli, Xhavit Haliti dhe shumë të tjerë, “mirëpo ata nuk i takojnë më kësaj liste pasi që me negocimin e Qeverisë së Kosovës kjo listë është shkurtuar nga 157 në vetëm 20 persona”.

“Kjo listë që dikur ishte e mbushur me ish-ushtarë UÇK-së të njëherësh politikan, tanimë ka ndërruar përbërje. Vetëm Ramush Haradinaj dhe dy politikanë të tjerë kane mbetur në këtë listë”, është shprehur Brahimaj. /GazetaTribuna