BQK ua merr licencat bankave të dyshuara për financim të terrorizmit

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza ka bërë të ditur se për shkak të dyshimeve për financim të terrorizmit u është marrë licenca disa institucioneve mikrofinanciare.

Lajme

27/11/2014 19:49

Në një intervistë dhënë për KTV, Hamza ka bërë të ditur se nëpër gjykata gjenden më shumë se 10 mijë lëndë të dërguara nga bankat dhe për këtë ka qenë plani që të bëhen disa reforma, por se ato janë bllokuar për shkak të ngërçit politik, siç janë bllokuar edhe plotësim-ndryshimet e Ligjit për sigurimet dhe për institucionet mikrofinanciare.

Këtë vit, sipas parashikimeve të BQK-së, Kosova do të ketë rritje ekonomike që sillet rreth 3%, ndërsa investimet, ndryshe nga viti i kaluar, kur patën rritje, në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit kanë pësuar rënie.

për sa i përket remitencave, ato vazhdojnë të jenë stabile, mirëpo drejtues të BQK-së kanë kërkuar nga institucionet që të bëjnë reforma, në mënyrë që ato para të kanalizohen në investime, e jo në konsum, pasi që një nivel i tillë prej më shumë se 600 milionë eurosh mund të pësojë ulje, raporton KTV.