Botërorin e shikon në televizor

Samir Nasri është dorëzuar përfundimisht dhe nuk beson se do të ftohet nga Franca për Botëror. Mesfushori francez thotë se do ta shikojë turneun që do të mbahet në Brazil përmes televizorit.

Sport

12/05/2014 12:23

Samir Nasri nuk pret që ta përfaqësojë Francën në Botërorin ‘Brazil 2014’, duke insistuar se evenimentin më të rëndësishëm të futbollit në botë do ta ndjek nga televizori.

Nasri u rikthye në formë tek Manchester City këtë sezon, duke shkëlqyer nën drejtimin e menaxherit Manuel Pellegrini, ndërsa klubi nga Manchesteri e fitoi titullin e dytë në tri sezonet e fundit të dielën.

Sidoqoftë, Nasri nuk beson se do ta marrë një ftesë nga trajneri Didier Deschamps për Botëror, përkundër faktit se ishte njeriu i ndeshjes ndaj West Hamit në ndeshjen e fundit të sezonit dhe pati paraqitje brilante këtë edicion.

“Mendoj se përzgjedhja është bërë. Unë e respektoj vendimin e përzgjedhësit. Do ta shikoj Botërorin në televizor”, deklaroi ish futbollisti i Arsenalit për televizionin francez ‘Canal Plus’.

“Nëse je startues në një klub si Manchester City dhe i fiton dy tituj, nuk mjafton, atëherë nuk kam se çka të bëj më tepër”, vazhdoi ai.

Nasri ishte dënuar me tri ndeshje nga Federata Franceze e Futbollit, pas përplasjes që e pati me gazetarë gjatë ‘Euro 2012’ në Poloni e Ukrainë.