Botërori i pulave në Britaninë e Madhe (Video)

Fraza "Vrap pule" merr krejtësisht një kuptim të ri, kjo edhe për shkak të kampionatit botëror të vrapit për pula, që ka shkaktuar jo pak entuziazëm dhe të qeshura në distriktin Peak të Anglisë.

Fun

07/08/2017 15:10

Pulat, janë stërvitur intensivisht për muajt e fundit duke u përgatitur për kampionatin e tyre botëror. Ambienti në të cilin është kryer kampionati është një pub rural i quajtur “Barley Mow Pub” në një fshat të vogël të quajtur Bonsall.

Çdo vit, 30 deri në 40 nga pulat më të shpejta të botës vrapojnë përgjatë një piste e duke respektuar kritere strikte ndërkombëtare…ato duhet të kenë të dyja këmbët pas vijës së startit dhe nuk lejohet asnjë çukitje. I gjithë eventi, më i madhi i vitit për fshatin Bonsall, përfundon me shpalljen e pulës më të shpejtë në botë, transmeton lajmi.net.

“Ka disa persona që janë me të vërtetë shumë seriozë. Djaloshi që fitoi vitin e shkuar, ka fituar dy herë brenda tre vjetëve dhe aktualisht ai është trajnues. Është vetëm 10 vjeç dhe është shumë serioz”, u shpreh Colette Dewhurst, organizatore e kampionatit.

Gara e këtij viti u mbajt në një ditë vere tipike angleze, me një shi të lehtë dhe një diell që herë dilte e herë fshihej.

Disa qindra spektatorë ishin të pranishëm dhe bënin tifozllëk për garuesen e preferuar, disa prej të cilave, ndodhte që edhe të humbnin interesin për vijën e finishit, e disa të tjera ishin më të interesuara që të bënin luftë me njëra-tjetrën.

Gara u fitua nga pula që quhej “Cooked it”, dhe në vend të dytë u rendit Pluckedit, që e kishte fituar eventin edhe më herët. Trajner i pulës fituese ishte Jack Allsop, një 9 vjeçar nga Ible në Derbishajër, që ka një koleksion pulash atlete.

“Unë mendoj se ajo është pula më e shpejtë në botë dhe ka shumë rekorde botërore, është e paarritshme”, thotë Jack Allsop, trajner.

Më herët, ai e ka fituar garën edhe tre herë të tjera. /Lajmi.net/