Bosnja nuk do ta njohë Kosovën, por do të krijojë lehtësime për udhëtim

Ministri i jashtëm i Bosnjës dhe Hercegovinës, Igor Crnadak, ka deklaruar se “nuk ka asgjë të re sa i përket njohjes së Kosovës nga ana e BeH, përderisa vazhdon të mbizotërojë një situatë e tillë” dhe përderisa qëndrimi i Serbisë vazhdon të jetë i njëjtë.

Lajme

08/04/2015 13:40

Shefi i diplomacisë boshnjake ka thënë shteti që ai përfaqëson është i gatshëm të krijojë kushte lehtësuese për normalizimin e raporteve dhe komunikimin në aspektin e udhëtimit, raporton agjencia Anadollu në gjuhën boshnjake.

“Të gjitha veprimet do t’i ndërmarrim me kujdes dhe me një komunikim të afërt me Serbinë. Në përputhje me qëndrimin e Serbisë do të bëjmë që jeta, normale, të jetë mbi politikën”, ka thënë Crrnadak, transmeton lajmi.net.

Në deklaratën e tij, ministri i jashtëm i BeH nuk ka dashur të komentoj deklaratën e homologut të tij nga Kosova, Hashim Thaçit, i cili kishte thënë se me politikën e saj, Bosnja po bëhet Serbi më e madhe se sa vet Serbia.

“Nuk do të komentoja deklaratën e cila e krahason Bosnjën dhe Serbinë në atë kontekst. Më i rëndësishëm është qëndrimi politik dhe diplomatik i BeH të cilin e ka konfirmuar edhe presidenca e jonë, që të gjenden zgjidhje me anë të cilave do t’u lejohej qytetarëve që udhëtojnë dhe bashkëpunimit”, ka thënë ai. (lajmi.net)