Bosnja humb, por i bën ballë Argjentinës

Argjentina e ka regjistruar një fitore të vështirë ndaj Bosnje e Hercegovinës. Boshjakët u mbajtën si burrat dhe dolën me kokën lartë, përkundër humbjes 2:1.

Sport

16/06/2014 02:54

Bosnja e Hercegovina ka pësuar humbje nga Argjentina me rezultat 2:1, por ka dalë nga fusha me kokën lartë, pas lojës që e tregoi, në debutimin e saj në Botëror.

Lionel Messi me shokë është dashur të djersiten fort, për t’i regjistruar tri pikët e para në këtë eveniment.

Madje, ekipi i Sabellas kaloi në epërsi në minutën e tretë vetëm falë autogolit të Sead Kolasinac.

Në pjesën e parë boshnjakët kanë krijuar më shumë raste, por nuk ia dolën të shënonin.

Ndërkaq, Lionel Messi e realizoi një gol maestral në minutën e 65-të, duke e lënë të shtangur mbrojtjen kundërshtare.

Ky fakt nuk i ka penguar boshnjakët që ta kërkojnë golin dhe e arritën atë në minutën e 84-t përmes zëvendësuesit Vedad Ibisevic, i cili shkroi emrin e tij në histori të Bosnjës, për golin e parë të shënuar në Botëror.

Në bazë të lojës që e treguan, boshnjakët kanë të drejt të ëndërrojnë ende për kalim në fazën tjetër.