Borxhlinjve të ujit, ngrohjes e bërllokut në Prishtinë u bllokohen xhirollogaritë

Miliona euro borxhe i kanë qytetarët për ujë, ngrohje, pastrim dhe shërbime tjera publike, siç është rryma. Derisa lëndët e dërguara në gjykatë kanë ngecur me vite të tëra, tani me përmbaruesit privatë paratë borxh merren shumë lehtë.

Lajme

16/01/2015 21:42

Ujësjellësi tashmë ka kontraktuar disa përmbarues në Prishtinë që t’i marrin 50 milionë euro borxh nga qytetarët që i kanë për fatura uji. Tashmë ka tërhequr 45 mijë euro, raporton emisioni 038 i KTV-së. 

Edhe ngrohtorja “Termokos” dhe kompania “Pastrimi” kështu do t’i marrin nga 18 milionë euro që qytetarët nuk ia kanë paguar kurrë.

Përmbaruesit privatë kanë të drejtë që të tërheqin para nga xhirollogaritë e atyre në emër të të cilëve është fatura. Ndërsa, çdo muaj do t’u ndalen nga 50 për qind e pagës. 

Përmbaruesja e parë private në Kosovë, Emine Sherifi Lubeniqi, ka thënë se nëse në xhirollogari nuk ka mjete, atëherë qytetarëve mund t’u konfiskohet pasuria. 

E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga përmbarimi është lidhja e kontratave mes qytetarëve borxhlinj dhe kompanive që borxhi të paguhet me këste. Ndryshe, tek përmbaruesi, përveç parave borxh, paguhet edhe një pjesë e shërbimit.