Borxhi publik i Kosovës ka arritur në 996.4 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se të hyrat buxhetore në vitin 2017 arritën vlerën neto prej 1.68 miliard euro, që paraqet një rritje vjetore prej 5.3 përqind.

Lajme

19/06/2018 09:12

“Shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 1.74 miliard euro që paraqet një rritje vjetore prej 5.0 përqind. Rrjedhimisht, buxheti i Kosovës regjistroi deficit primar buxhetor prej 59.0 milionë euro krahasuar me deficitin prej 61.1 milionë euro në vitin 2016, përderisa si përqindje e BPV-së, deficiti primar ka shënuar rënie nga 1.0 përqind në 0.9 përqind”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së raporton RTKlive.

Sa i përket llojit të tatimeve, sipas BQK-së vërehet se ka rritje më të lartë e të hyrave tatimore indirekte të cilat arritën vlerën prej 1.3 miliardë euro (7.2 përqind rritje), ndërsa të hyrat tatimore direkte shënuan rritje prej 2.5 përqind dhe arritën vlerën prej 238.0 milionë euro. Të hyrat jotatimore shënuan rritje prej 6.0 përqind dhe arritën vlerën prej 185.8 milionë euro.

Në vitin 2017, të gjitha kategoritë e shpenzimeve buxhetore u karakterizuan me rritje. Shpenzimet qeveritare për paga dhe mëditje shënuan rritje të lehtë prej 1.2 përqind dhe arritën vlerën prej 550.0 milionë euro. Subvencionet dhe transferet shënuan rritje për 6.7 përqind dhe arritën vlerën prej 506.4 milionë euro. Investimet kapitale, të cilat përfaqësojnë rreth 26.9 përqind të gjithsej shpenzimeve buxhetore, shënuan rritje prej 5.4 përqind dhe arritën vlerën 467.5 milionë euro. Shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime (përfshihen edhe shpenzimet komunale) shënuan rritje për 11.4 përqind dhe arritën vlerën prej 226.0 milionë euro, raporton RTKlive.

“Borxhi publik, në vitin 2017, ka arritur në 996.4 milionë euro që është për 16.8 përqind më i lartë krahasuar me vitin 2016. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 16.6 përqind nga 14.6 përqind sa ishte në vitin 2016. Kjo rritje e borxhit publik i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm prej 19.9 përqind (i cili ka arritur në 574.3 milionë euro), si dhe borxhit të jashtëm publik i cili ka shënuar rritje prej 12.9 përqind duke arritur në 422.2 milionë euro. Pjesëmarrja e borxhit të jashtëm publik në gjithsej borxhin publik është zvogëluar në 42.4 përqind nga 43.8 përqind sa ishte në vitin 2016”,, thuhet në raportin vjetor të BQK-së.