Borxhi ndaj vetëvetes – Lajmi.net
 Borxhi ndaj vetëvetes
Autori: Blerim Shala LajmeOpinion 10:16, 15 March 2018
 Kemi krijuar një logjikë sipas të së cilës shteti i Kosovës u ka borxh financiar të gjithëve që në një mënyrë apo tjetrën kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Një gjë është absolutisht e sigurt, në këtë shoqërinë dhe politikën kosovare ku gjithçka, siç po e shohim përditë e më shumë, është relative. Pra, të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, janë lindur pas vitit 1999, kur ky vend u çlirua. Ndërsa sot, ata i vuajnë pasojat e zhvillimeve politike dhe historike në Kosovën e okupuar të viteve të nëntëdhjeta. Ka disa herë që sindikalistët kosovarë imponojnë grevën në të gjitha shkollat kosovare, duke pasë si justifikim mospërmbushjen e premtimeve të qeveritarëve kosovarë, për t’ua rregulluar statusin, apo, për t’ua njohur privilegjet mësuesve dhe arsimtarëve që punuan në sistemin paralel të arsimit në Kosovën e okupuar. Për më shumë, nëse deri me 13 prill, Qeveria e Kosovës nuk do ta gjejë zgjidhjen për këtë çështje, Sindikata e arsimit do ta nisë grevën pa afat, deri në përmbushjen e këtyre kërkesave, duke rrezikuar, në fakt, përfundimin e rregullt të këtij viti mësimor. Në këtë mënyrë, do të ndikohej, me gjasë, edhe më shumë në mëdyshjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, i cili edhe ashtu është bërë temë e kontestimeve dhe përplasjeve të të gjitha llojeve në politikën kosovare.

Rasti i Sindikatave të arsimit, apo, i kërkimit të hises financiare/ buxhetore nga Arka shtetërore e vendit, për një kontribut të madh  (gjithsesi), të një brezi mësimdhënësish në rrethanat më të vështira të mundshme, nuk është as i pari, dhe me siguri, as i fundit.

Kemi krijuar, të gjithë së bashku, padyshim, me një përgjegjësi më të madhe të politikanëve të këtij vendi, muaj pas muaj, vit pas viti, që prej se Kosova u bë shtet i pavarur, në vitin 2008, një logjikë sipas të së cilës shteti i Kosovës u ka borxh financiar thuaja të gjithë atyre që në një mënyrë apo tjetrën, janë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Njëkohësisht, po të njejtit, të gjithë ne pra, mburremi, ditë dhe natë që kemi qenë gati të bëjmë njëmend gjithçka për ta çliruar dhe për ta bërë shtet Kosovës.

Natyrisht, këto dy qëndrime apo logjika janë krejtësisht të kundërta, apo, ato përjashtojnë njëra tjetrën. Nuk ka qenë dhe nuk ka mundur të jetë çlirimi i Kosovës një lloj i ‘Kontrate mbi vepër’, ku shteti i lirë i Kosovës do të duhej të kompenzonte financiarisht të gjithë ata që njëmend kanë dhënë kontribut për këtë vend, për këtë liri, për këtë shtet. Dikush mund të thotë këtu që nuk ka para që mund të jetë vlerë reale e të gjitha vuajtjeve dhe sakrificave që i kemi kaluar, si popull, për të mbërri në verën e vitit 1999-të dhe në dimrin e vitit 2008-të. Por dikush poashtu mund të shtojë që shteti i Kosovës nuk i ka borxh kujt prej nesh, apo gjithmonë, të gjithë ne e kemi obligim që gjithmonë të bëjmë gjithçka që duhet për fuqizimin e këtij shteti.

Në anën tjetër, poashtu është përtej çdo dyshimi që në secilën prej kategorive kontributdhënëse për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, duke u nisë këtu prej luftëtarëve të UÇK-së, të burgosurve politik, mësuesve dhe arsimtarëve të atyre viteve, politikanëve dhe intelektualëve të kohës, punëtorëve shëndetësor  (tek e mbrama, Misionit të çlirimit dhe të pavarësimit të Kosovës i jemi duhur të gjithë ne), ka të tillë statusi social i të cilëve është i rrezikuar, duke kërkuar, domosdoshmërisht, një adresim financiar nga shteti i Kosovës, i cili do t’ua mundësonte të gjithë atyre një jetë të dinjitetshme në vend.

Kjo sprovë reale sociale dhe politike për të gjithë ne, gjithsesi do të mund të rregullohej me saktësi, me nder, dhe me një kosto buxhetore e cila do të dilte e përballueshme për Arkën shtetërore të Kosovës.

Megjithatë, diku në rrugë e sipër prej vitit 2008 e këndej, na humbi ky filli logjik se si një shtet do të duhej të mirrej me gjendjen e rëndë të atyre që kontribuan shumë për këtë vend, dhe ne ia mësymë që t’i shpërblejmë të gjithë ata, pa kurfarë dallimi të statusit të tyre social, të cilët i kanë gjurmët e tyre në rrugëtimin historik dhe politik të Kosovës.

Në vazhdofshim në këtë mënyrë, një buxhet i tërë vjetor i Kosovës prej mbi dy miliardë euro, nuk do të mjaftojë të mbulojë borxhin e këtij shteti ndaj atyre që e bënë historinë e tij. Ndërsa buxheti mirret kudo, edhe në Kosovë, me të tashmen dhe të ardhmen e një vendi.

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO