Borxhet e trashëguara, pa mbulesë, nuk e lëkundin koalicionin qeverisës

Edhe pse Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa ka trashëguar një borxh të madh, pa mbulesë buxhetore, në vlerë prej rreth 170 milionë euro, nga mandati i kaluar qeverisës, nuk pritet që ky borxh të lëkund stabilitetin e koalicionit qeverisës.

Lajme

26/03/2015 08:37

Analistët politikë dhe njohësit e sundimit të ligjit konsiderojnë se kjo “aferë” e madhe financiare duhet të hetohet nga Prokuroria e Shtetit, derisa zyrtarë të LDK-së theksojnë se nuk dëshirojnë që për pasojë të këtij keqmenaxhimi të parasë publike, të tronditet koalicioni qeverisës.

“Sa u përket pasojave në koalicion, unë nuk besoj që do të ketë, por problemi është që tani në rishikimin e buxhetit, do të duhet bukur shumë të bëhen revidime në shpenzime për të mundur që të arrihen kursime për t’i kryer këto obligime goxha një telashe e madhe ka për të qenë, por kjo aspak nuk ka dhe nuk mundë të lidhet me koalicionin”, ka thënë për Kosova Sot, kryetari i Komisionit për buxhet, Naser Osmani nga LDK.

Ndërkaq, kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, thotë se as nuk mund ta merr me mend se si një qeveri që harton ligje dhe përcakton rregulla të menaxhimit të buxhetit, mund të hyjë në borxhe të mëdha.

“Nuk mundem ta kuptoj se si një institucion mund të hyjë në borxhe, nuk mund të filloni një aktivitet nëse nuk i zotoni mjetet, mjetet nuk mund t’i zotoni nëse nuk i keni ato dhe në fund cila është mënyra që të paguhen borxhet. E vlerësoj të nevojshëm propozimin që për mos respektuesit e ligjeve financiare të përgjigjen penalisht. Iniciativa duhet të fillojë nga institucionet ku ka ndodhur këto shkelje”, thotë Preteni.